Analisti Arlind Imeri ka deklaruar se kompania e Vuk Hamoviqit, EFT Switzerland, e ka fituar ankandin për importin e energjisë elektrike në Kosovë.
Sipas tij, vetëm për një orë import, nga ora 07:00 deri në 08:00, Kosova po paguan 51 centë për megavat-orë, ndërsa nga buxheti i Republikës së Kosovës 112.71 centë përfundojnë te Vuk Hamoviqi.
Imeri theksoi se ankandi është hapur një ditë më parë dhe është fituar nga EFT Switzerland, kompani e regjistruar në emër të Vuk Hamoviqit.
“Ajo se çka po ndodh sot prej orës 07:00 e deri në ora 08:00, është se po paguajmë 51 centë megavat për orë energji elektrike dhe për një orë Vuk Hamoviqi i merr 112.71 centë nga buxheti i Republikës së Kosovës”, deklaroi Imeri në Klan Kosova.
“Dje është hapur ankandi e ka fituar EFT Switzerland që është e regjistruar në emër të Vuk Hamoviq dhe sot importon rrymë prej Malit të Zi, përmes Noa Energy dhe e bjen në Kosovë”, theksoi ai.





