1 C
Mitrovice
E hënë, 15 Dhjetor, 2025
spot_img

Peci i reagon Kurtit për armatimin e FSK’së: E gjeti ushtrinë të gatshme, e kishte detyrim ligjor ta armatoste në dakordim me SHBA’të

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, i ka reaguar Kurtit për deklaratën e tij në Zvicër se “më shumë armatim kishte në odat e Kosovës sesa në kazermat e ushtrisë”. Ai ka thënë se kjo fjali në thelb është një tentim manipulim i të kaluarës dhe i tanishmes.

Peci thotë se sipas një studimi të UNDP’së në vitin 2003 në Kosovë në duart e qytetarëve vlerësohej se kishte rreth 330,000 – 420,000 armë të lehta dhe të vogla. Kjo u arsyetua me të kaluarën dhe ndjenjën e pasigurisë te qytetarët.

“Sipas një studimi të UNDP-së (2003), në Kosovë në duart e qytetarëve vlerësohej se kishte rreth 330,000 – 420,000 armë të lehta dhe të vogla. (Kaq armë të këtyre llojeve nuk i ka as sot FSK, pasi nuk ka nevojë për ato). Ky posedim i madh u arsyetua atëherë me të kaluarën e përgjakshme dhe ndjenjën e pasigurisë së qytetarëve për të ardhmen. Ka mundësi që për këtë arsye na hynë edhe “odat” si “depo të armatimit” në frazeologjinë e kësaj fushate zgjedhore të VV-së.”

Peci shton se ndëkohë shumica e këtyre armëve janë vënë nën kontroll ligjor dhe një pjesë e madhe e qytetarëve i kanë dorëzuar ose legalizuar përmes mekanizmave të Policisë.

“Mirëpo, në ndërkohë, shumica e këtyre armëve janë vënë nën kontroll ligjor dhe një pjesë e madhe e qytetarëve i kanë dorëzuar ose legalizuar përmes mekanizmave të Policisë së Kosovës. Kjo është një arritur tejet e madhe në shtetndërtimin e Kosovës dhe sigurisë të qytetarëve të saj. Në anën tjetër, FSK u shndërrua me ligj në forcë mbrojtëse me karakter ushtarak më 14 dhjetor 2018, në koordinim me partnerin tonë strategjik, SHBA-të, edhe pse kishte hezitime nga një numër jo i vogël i vendeve të NATO-s. Ky proces u finalizua politikisht gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt, i cili i ka meritat e pamohueshme për këtë të arritur madhore.”

Peci tha se Kurti nuk e ka krijuar ushtrinë, por e gjeti atë të gatshme si realitet ligjor e faktik në tavolinën e qeverisjes së tij.

“Pra, Kurti nuk e “krijoi” ushtrinë, por ai e gjeti atë të gatshme si realitet ligjor dhe faktik në tavolinën e qeverisjes se tij, të cilën ai e kishte detyrim ligjor edhe ta armatoste në bazë të dinamikës paraprakisht të dakorduar me SHBA-të. Kjo dinamikë e armatimit dhe zhvillimit të FSK-së u përshpejtua pas agresionit rus në Ukrainë, mirëpo VV nuk heziton ta shndërroj ate në marketing politik.”

Ai shtoi se shumë kuadro të FSK’së u formuan në shkolla elitare perëndimore para se të vinte faza e armatimit.

“Ushtria nuk ndërtohet vetëm me armë pa pasur dije profesionale. Ajo ndërtohet me kuadra të shkolluara, me doktrinë bashkëkohore dhe organizim profesional. Fatmirësisht, shumë kuadra të FSK-së u formuan në shkolla elitare perëndimore para se të vinte faza e armatimit. Jo rastësisht edhe kjo e arritur e mëhershme tentohet të lihet në hije nga VV, dhe theksi mbahet te armatimi i FSK-së. Mirëpo, për shtetet e vogla dhe të dobëta çfarë është Kosova, edhe armatosja optimale është e pamjaftueshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, pa aleatë të sigurtë dhe të fuqishëm.“

“Në këtë kontekst, nuk duhen harruar në mes tjerash as gabimet e panevojshme (si epizodi i ngjyrosjes së autoblindave), as tensionet që çuan deri te përjashtimi i FSK-së nga Defender 2023, e as rikthimi te zotimet e detyrueshme te v.2013 për mos-angazhim në veri pa lejen e KFOR-it, për të shmangur përplasjet eventuale me NATO-n”.

Sipas Pecit, sot Kurti dhe qeveria e tij sanksionohet, por FSK lihet jashtë pasi është dëshmuar si institucion dhe partner serioz i Washingtonit.

“Mirëpo sot, situata është ndryshe. Derisa Kurti dhe qeveria e tij kujdestare po sanksionohet nga SHBA-të, FSK-ja po lehet jashtë tyre. Krejtë kjo pasi FSK është dëshmuar si institucion dhe partner serioz i Washingtonit, me kuadra të përgatitura, që nuk bëhet instrument i aventurave politike të VV-së, apo e cilësdo partie politike të Kosovës. Megjithate, edhe ky partneritet mund ta ketë limitin e tij, nëse vazhdohet me këtë sjellje, pasi fundi i fundit, në vendet demokratike, ushtria i përgjigjet qeverisë. Prandaj, të thuash “më shumë armatim në oda se në kazerma” tregon se sa pak respekt ka për shtetndërtimin dhe për ushtrinë profesionale. Zëvendësimi i një detyrimi ligjor me fraza elektorale, që veç sa ngjallin emocione te ata që nuk e kuptojnë se çfarë është ushtria profesionale dhe çfarë janë aleancat, në rastin më të mirë është papërgjegjësi politike. Krejt kjo nuk i sjell asgjë të mirë as vendit dhe as FSK-së.”

TË FUNDIT

TË FUNDIT