Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për deputete, Besa Kabashi Rama, ka kritikuar Albin Kurtin duke thënë se marrëdhënia 3-dimensionale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që Kurti e ka përmendur, në fakt janë tri dështime kombëtare të tij.
Kabashi Rama vlerëson se Kurti ka dështuar në diplomaci.
“Dështim në diplomaci. Nuk e them unë, e thonë vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar pa afat dialogun strategjik me Kosovën, mekanizmin më të rëndësishëm që kemi pasur ndonjëherë me aleatin tonë kryesor. Ky dialog kishte vetëm një qëllim: zhvillimin e Kosovës dhe forcimin e partneritetit me Amerikën. Kur Amerika e ndërpret këtë proces, kjo nuk quhet parim. Quhet dështim diplomatik”, ka deklaruar ajo në një videoadresim.
Tutje, sipas saj, dështimi i dytë është në mbrojtjen e vendit.
“Siguria nuk matet me deklarata, por me besueshmëri. Dhe kur vetë Kongresi amerikan, institucioni më i fuqishëm i sigurisë në SHBA, thotë se ti personalisht nuk je partner i besueshëm, kjo është për alarm kombëtar. Një ish-kryeministër, të cilit nuk i besohet nga aleati kryesor i Kosovës, e dobëson mbrojtjen e vendit. Pavarësisht sa herë e përmend ti fjalën sovranitet, sa për Black Hawks që i përmende, le ta sqarojmë qartë: ata nuk janë arritje e kësaj qeverie. Njësia e helikopterëve është planifikuar që në vitin dy mijë e katërmbëdhjetë, si pjesë e planit dhjetëvjeçar të tranzicionit të forcave të sigurisë në ushtri, plan i krijuar nga ne me SHBA-në dhe NATO-n”, tha ndër të tjera ajo.
Kandidatja e PDK-së thekson se dështimi i tretë i Kurtit është dështimi në zhvillim, ndërsa vlerëson se marrëdhënia tri-dimensionale e Kurtit nuk është vizion, por një dështim.
“Pa diplomaci funksionale dhe pa aleatë që të besojnë, zhvillim të qëndrueshëm nuk ka. Sot Kosova është nën masa, është e izoluar, me projektet e bllokuara dhe me investime të humbura. Zhvillimi nuk vjen nga kokëfortësia, por nga partneritetet, dhe ato, zotëri Kurti, i ke dëmtuar vetë dhe rëndë. Prandaj, zotëri Kurti, mos na fol për 3 D, sepse 3 D-ja jote nuk është vizion; 3 D-ja jote është: dështim në diplomaci, dështim në mbrojtje e dështim në zhvillim”, përfundoi ajo.






