Dy blloqe në Termocentralin “Kosova A”, për momentin janë jashtë funksionit.
Koorporata Energjetike e Kosovës ka konfirmuar se dy blloqe të prodhimit kanë rënë jashtë funksionit. Për VOX Kosova, nga KEK thanë se sot po operohet me njësitë B1 dhe B2 të Termocentralit Kosova B si dhe me njësinë A4 të Termocentralit Kosova A. Në këtë situatë, jashtë prodhimit kanë mbetur Njësia A3 dhe A5.
“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se sot, më datë 08.12.2025, është duke operuar me njësinë A4 të TC Kosova A, si dhe me njësitë B1 dhe B2 të TC Kosova B, me një kapacitet të përgjithshëm prodhues prej 14,640 MWh”, i tha VOX Kosovës, zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli.
Ai shton se njësia A3 në KEK është në remont nga data 31 tetor e edhe pas startimit të saj kanë dalë probleme të reja, duke u paraqitur nevoja për ndërhyrje e sanime shtesë gjatë kësaj jave.
“Vlen të theksohet se njësia A3 ka qenë në remont që nga data 31 tetor dhe, pas startimit të saj, është vlerësuar nevoja për ndërhyrje dhe sanime shtesë teknike gjatë kësaj jave. Megjithatë, sasia e energjisë së kësaj njësie është kompensuar dhe, bazuar në planin e nominuar nga KEK, nuk ka mungesë të prodhimit me energji elektrike”, shton.
Termocentrali “Kosova A” i Korporatës Energjetike të Kosovës përbëhet nga pesë blloqe punuese të njohura si A1, A2, A3, A4 dhe A5. Blloqet A1 dhe A2 janë jashtë pune pa status të definuar.
Ndërkaq, Termocentrali “Kosova B”, përbëhet nga dy njësi gjeneruese, njësia B1 dhe B2.






