Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, pas zhvillimeve të fundit, ka reaguar ashpër ndaj Vetëvendosjes, duke thënë se Kosova ia pa sherrin kësaj partie.
Hamiti ka renditur disa arsye, të cilat i ka lidhur me fitoret e VV-së në zgjedhje nacionale, raporton Klankosova.tv
“Herën e parë me një dallim të vogël me LDK-në në vota, Qeveria VV-LDK mbijetoi vetëm 51 ditë, sepse LDK-ja nuk mundi të qeveriste me Albin Kurtin kryeministër që mori kurs konfrontimi me SHBA-të, aleatin jetik të shtetit tonë.”
Të dytën herë, Hamiti thotë është në vitin 2021, ku garuan në zgjedhje me moton ‘Krejt dhe Drejt’ dhe me politika të mbrapshta pas sigurimit të pushtetit, i sollën vendit sanksione nga Bashkimi Evropian.
“E morën Kuvendin, Presidencën, Qeverinë. Për katër vjet, me politika të mbrapshta, i sollën Kosovës sanksione të ashpra të BE-së (tash e dy vjet e gjysmë), marrëveshje të dëmshme me Serbinë për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë, më saktë autonomi politik-territoriale për serbët, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Korrupsioni qeveritar e përlau vendin. Ekonomia stagnoi, qytetarët u varfëruan. Shumë prej tyre e braktisën atdheun.”
Ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sipas Hamitit, nuk arritën ta marrin prapë pushtetin dhe si rezultat, e bllokuan vendin, e shkelën Kushtetutën dhe i uzurpuan zyrat e Qeverisë, transmeton Klankosova.tv
“Herën e tretë, më 9 shkurt 2025, Vetëvendosja e Albin Kurtit me satelitët doli e para, me 42% të votave, por nuk ia doli të marrë pushtet absolut. Në pamundësi që ta bëjë këtë, e bllokuan shtetin tonë gjatë gjithë vitit 2025. E shkelën Kushtetutën me dhjetëra herë. Shkeljet vazhdojnë. Në pjesën më të madhe të vitit, Albin Kurti me të vetët, si deputetë, i uzurpuan dhe vazhdojnë t’i uzurpojnë zyrat qeveritare, në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë. “
Por, Hamiti shprehet se në zgjedhjet që janë në prag, këto të 28 dhjetorit, qytetarët e kanë mundësinë që ta nxjerrin këtë parti në opozitë.
“Në zgjedhjet e 28 dhjetorit të sivjemë, qytetarët e kanë rastin t’i nxjerrin VV-në dhe satelitët e saj në opozitë për të mirën e vet dhe të shtetit tonë, që e kanë dëmtuar tepër shumë në pesë vitet e kaluara.
Qytetarët duhet të votojnë për partitë shqiptare që e kanë bërë dhe e duan shtetin, jo për VV-në që s’e ka dashur as e do shtetin e Kosovës. “
Në fund, sa për kujtesë, Hamiti tha se “VV-ja e Albin Kurtit nuk e ka festuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Më herët, më 26 janar 2006, VV-ja e ka quajtur Presidentin Ibrahim Rugova ‘kolaboracionist’, ndërsa Hashim Thaçin ‘tradhtar’.”
“Kushdo që është ndjerë ndonjëherë rugovist nuk ka pse ta votojë VV-në që e ka quajtur Ibrahim Rugovën ‘kolaboracionist’. As ata që janë rreshtuar për pushtet me demagogun Albin Kurti.
Rugovistët do ta votojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), partinë e Presidentit Ibrahim Rugova, Atit Themeltar të shtetit tonë.”






