2.8 C
Mitrovice
E diel, 23 Nëntor, 2025
spot_img

Trepça mposht Prishtinën në ndeshjen me fund dramatik

Trepça e ka mposhtur Sigal Prishtinën në derbin e xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, Trepça fitoi me rezultat 80:75.

Skuadra mitrovicase ka mbajtur epërsi thuajse gjatë gjithë kohës. Madje për kohë të gjatë ka mbajtur epërsi të lartë, që në një moment ishte 19 pikë.

Por Prishtina nuk u dorëzua dhe në fund madje kaloi në avantazh. Një minutë e 14 sekonda para fundit, Adrio Bailey me ngulitje të bukur e kaloi në epërsi 75:74 Prishtinën. Por më pas Ja’cori Payne shënoi për epërsinë 76:75 të mysafirëve. Pasoi një sulm i pasuksesshëm i Prishtinës, ndërsa Payne shënoi edhe dy gjuajtje të lira për epërsinë 78:75.

Prishtina i kishte edhe dy sulme tjera të pasuksesshme në vazhdim dhe trajneri i saj u ndëshkua me gabim teknik për shkak të reagimit. Dhe Drilon Hajrizi e Mikaile Tmushiq me nga një gjuajtje të lirë e konfirmuan fitoren 80:75.

Chad Brown dha kontributin më të madh te Trepça, sipas të dhënave statistikore. Ai i realizoi 11 pikë e plot 16 kërcime. I kishte edhe tri asistime. Ja’cori Payne e përfundoi ndeshjen me 23 pikë, dy kërcime e dy asistime. Mustapha Amzil i kishte 10 pikë e 10 kërcime.

Drilon Hajrizi e ndihmoi fitoren me 11 pikë, ndërsa Mikaile Tmushiq me 14 pikë e katër kërcime.

Te Prishtina më i miri ishte Deondre Burns me 20 pikë, katër kërcime e pesë asistime. Adrio Bailey i kishte 25 pikë. Dion Haxhosaj i realizoi 10 pikë e pesë kërcime.

Kampionia në fuqi, Trepça, tani i ka katër fitore e dy humbje. E ka një ndeshje më pak të luajtur. Prishtina mbetet me katër fitore, ndërsa e pësoi humbjen e tretë./Koha.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT