-0.5 C
Mitrovice
E enjte, 1 Janar, 2026
spot_img

Bajrami e quan hipokrizi dhe mashtrim subvencionimin e faturave të energjisë nga qeveria: Fatura që ishte 54 euro, në tetor të vitit 2025 u bë 169 euro – një rritje prej afro 300%.

Deputetja Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, se këtë muaj ka nisur subvencionimi i faturave të energjisë elektrike. Ajo e ka cilësuar këtë masë si “hipokrizinë dhe gënjeshtrën më të madhe të Qeverisë”.

Sipas Bajramit, qeveria po tenton të paraqitet si mbështetëse e qytetarëve, ndërkohë që kostot reale të energjisë për familjet janë rritur në mënyrë drastike. Ajo ka deklaruar se një familje mesatare, e cila në tetor të vitit 2019 paguante 54 euro për energji elektrike, në tetor të vitit 2025 ka paguar 169 euro – një rritje prej afro 300%.

Deputetja ka theksuar se përveç kësaj rritjeje për familjet, rreth 1300 biznese vendore, kryesisht prodhuese, pas liberalizimit të tregut të energjisë janë përballur me trefishim të kostove. Sipas saj, çmimi për MWh, që një vit më parë ishte 75 euro, tani ka arritur në 206 euro.

Bajrami ka bërë të ditur edhe të dhënat e Doganës së Kosovës, duke thënë se importi i energjisë në periudhën 2015–2020 ka qenë 273 milionë euro, ndërsa gjatë pesë viteve të qeverisjes së kryeministrit Kurti (2021 – shtator 2025) importi ka arritur në 811 milionë euro.

“Ky është mashtrim i pastër”, ka deklaruar deputetja, duke shtuar se subvencionet nuk po përfundojnë te qytetarët, por te “xhepat e tregtarëve të energjisë”, me të cilët, sipas saj, Qeveria ka lidhje të ngushta.

Ajo ka përfunduar se kjo po bëhet me paratë e qytetarëve, veçanërisht të rinisë që ka emigruar dhe po e financon konsumin në Kosovë.

TË FUNDIT

Vdes Nexhat Daci

TË FUNDIT