Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka akuzuar krerët e shtetit për shkelje të përsëritura të Kushtetutës, duke thënë se gjatë tetë muajve të fundit “zoti Albin Kurti dhe zonja Vjosa Osmani nuk duan të ndiejnë fare për Kushtetutën dhe ligjin”.
Në një intervistë për Gazetën Express, Hasani deklaroi se Presidentja ka shkelur Kushtetutën duke mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë, ndërsa “Albin Kurti është uzurpues i postit të Kryeministrit të Kosovës, sepse nuk mund të mbajë njëkohësisht postin e deputetit dhe të shefit të ekzekutivit”.
Sipas tij, moszbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të sanksionohet penalisht. “Një qeveri, një ditë, do të detyrohet të nisë ndryshimet në Kodin Penal për ta futur moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese si një vepër të posaçme penale,” tha Hasani, duke shtuar se ky standard aplikohet “në Shqipëri dhe në disa shtete të tjera evropiane”.
Ai paralajmëroi se “Kushtetuta dhe ligji janë stërkequr në përmasa të papara në asnjë vend të Evropës – përveç Rusisë”.
Hasani tha se Osmani ka injoruar partitë që përfaqësojnë 63 deputetë kur ka vendosur për mandatimin e Konjufcës dhe se Kuvendi është shpallur i konstituuar “në mënyrë arbitrare”. Ai shtoi se opozita, duke e pranuar këtë në heshtje, “ka marrë bashkëpërgjegjësinë për prishjen e rendit kushtetues”.
Sipas tij, përjashtimi i serbëve lokal nga përfaqësimi politik “do të jetë pengesë serioze për integrimin euro-atlantik të Kosovës” dhe rrezikon të çojë drejt “shndërrimit të vetëmenaxhimit në një njësi federale brenda Kosovës”.
“Siç e dini, nuk jemi pranuar në Këshillin e Evropës, një tragjedi e llojit të vet për shtetësinë e Kosovës… Refuzimi i anëtarësimit tonë është vetëm fillimi!”, përfundoi Hasani.






