21.7 C
Mitrovice
E diel, 21 Shtator, 2025
spot_imgspot_img

Vlora Çitaku për 12 tetorin: PDK do të fitojë, Kosova do të fitojë

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar sot se PDK po përjeton një valë të madhe mbështetjeje qytetare në të gjitha komunat e Kosovës, gjatë ditës së 8-të të fushatës zgjedhore.

Në një konferencë për media, ajo njoftoi se kandidatët për kryetarë komunash dhe ekipet për kuvendet komunale kanë realizuar mbi 1 mijë takime në çdo fshat, lagje e qytet, ku sipas saj, oferta politike e PDK-së po pritet me gëzim, entuziazëm dhe besim nga qytetarët.

“Sepse kjo është oferta më e mirë politike në vend, tashmë e dëshmuar si modeli më i suksesshëm i qeverisjes lokale. Vizioni ynë është i qartë: më mirë – një komunë që funksionon, një komunë që shërben, një komunë që jep llogari te qytetari. Ky është dallimi ynë”, tha Çitaku.

Ajo u shpreh e bindur se PDK do të fitojë jo vetëm në komunat që aktualisht qeveris, por edhe në shumë të tjera, falë, siç tha ajo, epërsisë së kandidatëve në krahasim me kundërkandidatët.

“Ne nuk po kërkojmë besim vetëm për PDK-në si parti, por për qytetarët tanë. Për ta ndërtuar bashkë komuna që nuk janë pronë e individëve, por shtëpi e përbashkët për secilin qytetar”, theksoi ajo.

Çitaku falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe kulturën e lartë demokratike gjatë fushatës, si dhe për idetë dhe kritikat e tyre që, sipas saj, po e forcojnë edhe më shumë PDK-në.

Mirënjohje të veçantë ajo ia dha aktivistëve të PDK-së që po angazhohen me përkushtim në terren.

“Kjo është fytyra e vërtetë e Partisë Demokratike të Kosovës: kulturë politike, respekt për qytetarin dhe besim të palëkundur se vetëm përmes punës e bashkimit mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për komunat tona dhe për Kosovën. PDK do të fitojë. Qytetarët tanë do të fitojnë. Dhe Kosova do të fitojë!”, përfundoi Çitaku.

/GazetaSinjali/

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT