Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot një vizitë në Hagë, ku është takuar me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryetarin Kadri Veseli, të cilët prej afro pesë vitesh, sipas tij, “po mbahen padrejtësisht në paraburgim, në një proces të tejzgjatur”.
“Edhe këtë herë, në çdo fjalë të tyre, e ndjeva të gjallë bindjen e palëkundur se drejtësia për çlirimtarët tanë po afrohet,” ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se “nuk mund të jetë ndryshe për ta dhe shokët e tyre, që mbi supet e veta bartën vetëm atë që populli kërkoi: luftën për liri. Liria, askund e asnjëherë, nuk është as mëkat e as faj.”
Sipas tij, “ata janë mirë, optimistë dhe, si gjithmonë, dërgojnë përshëndetjet më të ngrohta për secilin prej jush.”
Krasniqi ka shtuar se “janë me Kosovën në çdo orë e çdo ditë. Gëzojnë për çdo lajm të mirë dhe ndajnë dhembjen me ne kur lajme të tjera rëndojnë mbi popullin tonë. Por, mbi të gjitha, besojnë fuqimisht në një të ardhme më të ndritur për vendin tonë – një të ardhme që ndërtohet me punë, me vizion dhe me vullnet të pathyeshëm.”
Duke e përmbyllur mesazhin e tij, ai ka thënë: “Koha do ta nxjerrë të vërtetën në dritë dhe drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë mbi çdo padrejtësi. Në fjalët e Presidentit Thaçi: ‘Dielli do të lind përsëri!’”