32.2 C
Mitrovice
E mërkurë, 13 Gusht, 2025
spot_imgspot_img

Rritje ekonomike në Kosovë ngadalësohet në 2025, ndërsa inflacioni shënon rritje

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, të martën, ka publikuar Raportin e Stabilitetit Financiar, ku konfirmohet qëndrueshmëria dhe stabiliteti i sistemit financiar të Kosovës. Megjithatë, këto arritje, sipas BQK-së, mbeten të ekspozuara ndaj pasigurive ekonomike globale, duke kërkuar një vëmendje të vazhdueshme.

Për vitin 2025, BQK-ja parashikon një rritje ekonomike prej 4.1 për qind dhe një normë mesatare të inflacionit prej 3.3 për qind, të nxitur kryesisht nga konsumi privat dhe investimet. Rritja ekonomike në vitin 2024, sipas vlerësimit të BQK-së, ishte 4.4 për qind.

Ndërkaq norma vjetore e inflacionit, në vitin 2024, sipas të dhënave të BQK-së ishte 1.6 për qind, kryesisht si rezultat i uljes së çmimeve të ushqimeve dhe mallrave të importuara.

BQK-ja ndër të tjera ka konstatuar se sektori fiskal ka shënuar performancë të qëndrueshme, me deficit minimal dhe ulje të raportit të borxhit publik ndaj Bruto Produktit Vendor. Megjithatë, thellimi i deficitit të llogarisë rrjedhëse, si dhe trendet e remitancave dhe të investimeve të huaja direkte mbeten sfida strukturore që kërkojnë vëmendje dhe monitorim të shtuar.

“Sistemi financiar i Kosovës vazhdoi zgjerimin në vitin 2024, duke përforcuar rolin e tij në mbështetje të ekonomisë vendore. Sektori bankar shënoi rritje të shpejtë të kreditimit prej 18.3%, e nxitur nga kërkesa e lartë për financim nga ekonomitë familjare dhe bizneset, si dhe nga përmirësimi i kushteve kreditore”, thuhet në Raportin e Stabilitetit Financiar.

Treguesit e qëndrueshmërisë financiare, sipas BQK-së, mbeten brenda kërkesave rregullative.

“Rezultatet e stres-testeve edhe nën skenarë të rënduar, tregojnë se sektori bankar është i qëndueshëm ndaj goditjeve makroekonomike dhe financiare, si rezultat i kapitalizimit dhe likuditetit adekuat sikurse parashihet me kornizën ligjore dhe rregullative të BQK-së. Likuiditeti mbetet në nivele të qëndrueshme, i mbështetur nga rritja e depozitave të sektorit privat”./AlbanianPost

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT