Një zjarr i madh ka përfshirë dje zonën e Kçiqit të Vogël në Mitrovicë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke rrezikuar seriozisht banorët e fshatit.
Sipas informatave të para, mijëra hektarë tokë janë përfshirë nga flakët, të cilat përhapen me shpejtësi dhe u afruan shumë pranë shtëpive të banimit. Katër shtëpi të vjetra dhe të pabanuara janë djegur plotësisht, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar në njerëz.
Zjarri i fuqishëm ka shkaktuar shqetësim të madh te banorët lokalë, ndërkohë që zjarrfikësit kanë luftuar për orë të tëra për ta vënë nën kontroll situatën. Për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit, është aktivizuar edhe KFOR-i, i cili ka dalë në ndihmë përmes ndërhyrjes ajrore.
Forcat e NATO-s në Kosovë kanë nisur sot në mëngjes fikjen e zjarrit nga ajri, duke u përpjekur të ndalin përhapjen e mëtejme të flakëve dhe të mbrojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.