Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Sipas njoftimit të Prokurorisë aktakuza ndaj Faton Klinakut dhe N.S. për veprën penale “Kanosja” është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Lidhur me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ka reaguar Faton Klinaku.
Ai në një reagim në Facebook, ka shkruar se për aktakuzën e ngritur është informuar vetëm nga mediat, duke shtuar se mezi pret një ballafaqim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Edhe pse unë po informohem nga mediat dhe për këtë nuk di asgjë e as avokati im, mezi nuk po pres të ballafaqohem me A.K, të cilin edhe do ta ftoj si dëshmitar në gjykatë”, shkroi Klinaku.
“Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri F.K., me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin A.K., në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social ‘Facebook’, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”, ka njoftuar Prokuroria.
Pas reagimeve të opinionit publik lidhur me kërcënimin e përmendur, më 30.08.2023, i pandehuri F.K. thuhet se ka përsëritur një postim me përmbajtje të njëjtë kërcënuese ndaj të dëmtuarit, ku thuhet “… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”./Reporteri.net/