Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të martën në mesditë në Prizren, ku një punëtor rreth të dyzetave, nga Drenasi, ka humbur jetën si pasojë e rënies nga lartësia gjatë punimeve në një objekt ndërtimi.
Sipas burimeve nga policia rajonale, viktima u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, por për shkak të lëndimeve të rënda, nuk arriti t’i mbijetojë aksidentit.
Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi, bëri të ditur se në lidhje me këtë rast janë ndërmarrë veprime hetimore fillestare, ndërsa mbikëqyrësi dhe investitori i punimeve janë intervistuar si persona të dyshuar. Me vendim të prokurorit, ata janë ndaluar për 48 orë.
Njoftimi:
Me datë 30.07.2025, rreth orës 12:45, në qytetin e Prizrenit, është raportuar një incident në vendin e punës ku viktima N.XH., mashkull rreth 40 vjeç, nga Drenasi, gjatë kryerjes së punimeve në një kulm, ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. I njëjti është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku më vonë, sipas informatave zyrtare nga emergjenca, është konfirmuar se ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra.
Policia i është përgjigjur menjëherë rastit, duke ndërmarrë veprimet e para hetimore dhe duke marrë dëshmi nga personat e pranishëm në vendngjarje.
Lidhur me rastin, janë njoftuar hetuesit kujdestarë dhe prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që të iniciohet procedura penale për veprën: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Lidhur me rastin, mbikëqyrsi dhe investitori I punimeve janë intervistuar si të dyshuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.