Analisti i njohur politik, Halil Matoshi, ka qenë i ashpër me rastin e mbytjes së mërgimtarit në Ujman dhe zhurmës së madhe që bëri Vetëvendosja pas dërgimit të FSK-së në veri.
Pas zhdukjes së një mërgimtari 33-vjeç në Ujman të dielën, kërkimet për të vazhduan deri sot pasdite, kur u dislokua edhe një ekip i FSK-së për operacion të kërkim-shpëtimit. Eksponentët e pushtetit e shpërndanë masivisht foton e dy-tre automjeteve të FSK-së, duke mos i treguar edhe ato të KFOR-it amerikan që i shoqëronte.
Për këtë ngjarje, Halil Matoshi tha se këto dredhi janë nga katalogu stalinist i propagandës, të cilën VV-ja po e përdor tash pasi sipas disa matjeve ka rënë në rreth 30% mbështetje te votuesit.
“Për këtë po bindem, kur krejt parametrat e matjes së dispinimit popullor thojnë se VV âsht në kuotën p’ej 30-32%”, tha Matoshi në Facebook.
Pastaj, Matoshi pati akuza të rënda edhe në drejtim të Albin Kurtit, për të cilin thotë se ka barrë të përgjegjësisë për këtë vdekje tragjike.
“Po. Albin Kurti e ka shty 33-vjeçarin drejt deke përmes propagandes! Kur vitin e kaluem pata thanë në TV se ligjet e Kosovës dhe strategjia e ujnave e ndalojnë lamjen në ujëmbleshësat për pije, dhe militantat e VVsë “po e hjekin zdralin në Ujman”, m’u patën versulë i madh e i vogël, madje edhe nga partitë rivale të VVsë, me nji fushatë të egër të përmasave fashiste”, shkroi më tej Matoshi.
“Por shkoi nji mërgimtar fatkeq 33-vjeç, i cili u viktimizu direkt nga propaganda neostaliniste e VVsë”, vazhdoi analisti Matoshi.
Dy vitet e fundit ka pasur një shtim të qytetarëve që shkojnë për pushime në Ujman, ndonëse ky liqen nuk është përdorur ndonjëherë për qëllime rekreative. Mbytja e mërgimtarit pas hedhjes nga ura shënon tragjedinë e parë në këtë liqen që nga fillimi i kësaj dukurie të re për t’u larë atje./gazetametro.net