Një sasi e konsiderueshme armësh është zbuluar nga Policia e Kosovës në një shtëpi banimi në fshatin Lucka Reka të Zubin Potokut, gjatë patrullimit të datës 25 korrik 2025, rreth orës 16:00.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se njësitë policore të DRP – Mitrovicë Veri dhe Stacionit Policor Zubin Potok, gjatë patrullimit në zonë, kanë hasur në tri armë të gjata që mbaheshin pa leje nga një person i dyshuar. Ky i fundit, sapo ka vërejtur zyrtarët policorë, është larguar me shpejtësi në drejtim të pyllit, duke u zhdukur në drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë e hetimeve dhe forenzikës, të cilët kanë sekuestruar: 1 pushkë gjahu prodhim Jugosllav, 1 pushkë gjahu njëtytëshe prodhim Rus, 1 armë e gjatë gjysmë automatike prodhim Jugosllav, 51 fishekë të pushkës së gjuetisë të kalibrave të ndryshëm, 1 radiolidhje dore e tipit Baofeng, 1 palë dylbi, 3 mbajtëse rripash për fishekë, 1 kondak arme të gjatë.
Prokurori kujdestar është informuar dhe ka urdhëruar që rasti të iniciohet për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet janë duke vazhduar për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.