Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar sot me homologun e tij turk, Yasar Guler.
Maqedonci ka zbuluar se në këtë takim është diskutuar mbi rolin strategjik që do të ketë Kosova në rajon pas funksionalizimit të fabrikës së municionit, shkruan Reporteri.net.
“Ky projekt do të rrisë ndjeshëm aftësitë e FSK-së, do të mundësoj vet-qëndrueshmëri logjistike dhe do të kontribuojë në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. Kosova, duke forcuar strukturat e saj mbrojtëse, do të jetë në një pozicion më të mirë për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe për të ndihmuar në promovimin e paqes dhe stabilitetit”, ka shkruar Maqedonci.
Në këtë takim, Maqedonci ka thënë se ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
“… marrëdhëniet tona janë thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë në rajon, ndërsa u dakorduam për vazhdimësinë e bashkëpunimit si element kyç, strategjik për sigurinë e rajonit”, përfundon postimi i tij.
Ndryshe, Kosova ka nisur procedurat për hapjen e fabrikës së municionit dhe për laboratorët për dizajnimin e fluturakeve pa pilotë, në nëntor të vitit të kaluar./Reporteri.net