Zgjebja (scabies) është një sëmundje ngjitëse e lëkurës, e shkaktuar nga një parazit mikroskopik që jeton dhe shumon brenda shtresave sipërfaqësore të saj. Ajo shfaqet në të gjitha grupmoshat dhe ka përhapje të shpejtë në kushte ku higjiena është e mangët dhe kushtet ekonomike janë të dobëta. Nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë, zgjebja mund të marrë një formë të zgjatur dhe kronike
Dr. Erëza Y. Durmishi,
PhD Candidate- Mjekësi Klinike
Si përhapet dhe kush rrezikohet nga zgjebja?
Zgjebja transmetohet përmes kontaktit të ngushtë fizik me një person të infektuar, por edhe përmes objekteve të ndotura, si rrobat, peshqirët dhe çarçafët. Rreziku i përhapjes është më i madh në mjedise kolektive si familjet, kopshtet e fëmijëve, shkollat, konviktet, ambientet e përbashkëta të ushtrisë apo institucioneve të kujdesit social.
Çfarë e shkakton zgjebën?
Shkaktari i saj është paraziti Sarcoptes scabiei var. hominis. Femra e këtij paraziti depërton në shtresën e jashtme të lëkurës (epidermë), ku krijon tunelesh mikroskopike dhe vendos 25–50 vezë. Pas vendosjes së vezëve, ajo ngordh. Gjatë një periudhe prej 2 deri në 3 javë, vezët zhvillohen në larva, të cilat arrijnë të rriten dhe të ripërhapin ciklin infektiv.
Cilat janë simptomat dhe shenjat klinike të zgjebes?
Shenja më e zakonshme dhe më shqetësuese është kruarja intensive, veçanërisht gjatë natës. Kjo ndodh si pasojë e reagimit të trupit ndaj lëvizjeve dhe pranisë së parazitëve dhe produkteve që ata lëshojnë në lëkurë.
Dallimet klinike mund të vërehen sipas moshës dhe gjinisë:
• Te meshkujt, shenjat zakonisht shfaqen rreth organeve gjenitale, në bark, rreth kërthizës, në duar dhe në hapësirat mes gishtërinjve.
• Te femrat, zonat më të prekura janë gjoksi, barku, ekstremitetet dhe po ashtu hapësirat ndërgishtore.
• Tek fëmijët e vegjël dhe foshnjat, ndryshimet në lëkurë mund të vërehen edhe në fytyrë, pëllëmbë dhe shputa – zona të cilat zakonisht nuk preken te të rriturit.
Manifestimet në lëkurë përfshijnë:
• Papula (noduse të vogla),
• Vezikula (flluska të mbushura me lëng),
• Gërvishtje të shumta,
• Herë pas here edhe bula apo urtikarie (skuqje të lëkurës me kruarje të fortë),
• Në raste të avancuara, mund të vërehen infeksione të dytësuara bakteriale (piodermi), me pustula (flluska të mbushura me qelb) dhe krusta (shtresa të forta të tharjes së qelbit).
Në disa pacientë mund të shfaqen noduj të qëndrueshëm (noduli scabiei), të cilët vazhdojnë të jenë prezentë edhe pas trajtimit dhe zhdukjes së parazitit, për shkak të reagimeve imune të lëkurës.
Si bëhet dallimi nga sëmundje të tjera?
Zgjebja mund të ngatërrohet me shumë sëmundje të tjera të lëkurës që shkaktojnë kruarje. Për këtë arsye, diagnoza duhet të bëhet me kujdes dhe të diferencohet nga:
• Prurigo – një sëmundje me kruarje të vazhdueshme,
• Strophulus – alergji tek fëmijët që krijon flluska dhe kruarje,
• Folliculitis – infeksion i folikulave të qimeve.
Prandaj, konsultimi me mjekun familjar apo dermatologun është i domosdoshëm.
Trajtimi dhe kujdesi mjekësor
Trajtimi i përgjithshëm
Për të arritur rezultat efektiv, të gjithë anëtarët e familjes apo personat që kanë pasur kontakt me të sëmurin duhet të mjekohen njëkohësisht, edhe nëse nuk shfaqin simptoma. Kjo parandalon rikthimin e infeksionit nga persona të padiagnostikuar.
Gjithashtu, është e nevojshme që:
• Të dezinfektohen rrobat, çarçafët, batanijet dhe sendet personale me larje në ujë të nxehtë (minimumi 60°C),
• Të evitohen kontaktet e ngushta derisa trajtimi të përfundojë plotësisht,
• Në rast infeksionesh dytësore, mund të nevojitet trajtim me antibiotikë dhe medikamente qetësuese apo antihistaminike.
Trajtimi lokal
Aplikohet direkt në lëkurë dhe përfshin:
• Preparatet me bazë squfuri, që janë të sigurta edhe për fëmijët;
• Benzoat benzili dhe krotamiton, që përdoren për të vrarë parazitin dhe për të lehtësuar kruarjen;
• Pomada antipruritike për qetësimin e lëkurës;
• Në raste me infeksione sekondare, përdoren pomada me antibiotikë dhe kortikosteroide për të ulur inflamacionin;
• Nodujt që zgjasin më shumë se disa javë mund të trajtohen me injeksione kortikosteroide intralezionale ose në raste të veçanta, me fototerapi PUVA (kombinim i barnave dhe dritës UV).
Zgjebja norvegjeze – Scabies Norvegica
E njohur ndryshe si zgjebja krustoze, kjo formë është më e rrallë dhe më e rrezikshme. Ajo prek zakonisht persona me imunitet të dobësuar, pacientë me probleme neurologjike, psikike ose me aftësi të kufizuara. Në këtë formë, lëkura mbulohet nga shtresa të trasha dhe të ngurta me ngjyrë gri, të cilat janë të ngarkuara me mijëra parazitë.
Zonat më të zakonshme ku shfaqen lezione janë: koka, fytyra, zverku, bërrylat dhe gjunjët. Për shkak të ngarkesës së lartë me parazitë, zgjebja norvegjeze është jashtëzakonisht ngjitëse dhe kërkon masa të forta izolimi dhe kujdesi mjekësor.
Trajtimi përfshin:
• Heqjen e shtresave të trasha me pomada keratolitike (që zbusin lëkurën),
• Përdorimin e mjeteve antiskabioze për eliminimin e parazitëve,
• Kujdes të veçantë në menaxhimin e higjienës personale dhe mjedisore.
Apel për kujdes dhe ndërgjegjësim
Zgjebja nuk është një problem thjesht estetik apo i përkohshëm, nëse nuk trajtohet siç duhet, mund të përhapet shpejt dhe të sjellë komplikime. Ndaj, është e rëndësishme që çdo person që vëren kruarje të fortë të natës dhe ndryshime në lëkurë, të kërkojë këshillë mjekësore sa më shpejt. Zbatimi i trajtimit korrekt dhe masat higjieno-sanitare janë kyçe për menaxhimin e kësaj sëmundje. /Telegrafi/