(Me rastin e 11 korrikut – Ditës Botërore të Popullsisë)
Termi recesion përdorim më të gjerë ka në fushën e ekonomisë i cili nënkuptohet një tkurrje e ciklit të ekonomisë të një vendi, kur ka një rënie të përgjithshme të aktivitetit ekonomik e cila shkaktohet nga faktorë të ndryshme dhe zakonisht manifestohet me krizë. Megjithatë përdoret edhe në shkencat tjera ku trendët e fenomeneve janë në tkurrje drejt një krize të mundshme.
Edhe pse në shkencën e demografisë si term recesioni nuk është shumë i përhapur, megjithatë trendët e përgjithshme globale ( sidomos të vendeve të zhvilluara dhe shumicës së vendeve ne zhvillim) duke përfshi edhe Kosovën, mundë të konstatohet se janë përfshirë nga “recesioni demografik”- tkurrja demografike me premisa reale drejt krizës demografike.
Për gjendjen e zhvillimeve demografike në nivel global por edhe në Kosovë, përshkrimi më i saktë i gjendjes do të ishte konstatimi i demografëve Bricker dhe Ibbitson të cilët në studimin e tyre “ The shock of global population decline / Tronditja nga rënia globale e popullsisë” kanë konstatuar se “Ne nuk po përballemi me sfidën e një bombe të popullatës, por të zvogëlimit të popullatës njerëzore”. Në favor të këtij konstatimi shkon edhe fakti se rreth 60% e vendeve të globit kanë normë të fertilitetit të përgjithshëm më të ulët se 2.1 fëmijë për grua ( norma e nevojshme për ripërtërije të thjeshtë të popullsisë- popullsia në numër të njëjtët) duke përfshirë këtu edh dy vendet me numrin më të madh të popullsisë që janë India dhe Kina.
Në rastin e Kosovës këtë e vertetojnë edhe të dhënat e regjistrimit të popullsisë në vitit 2024 ku tri përfundimet kryesore të cilat mundë të nxirren nga ky regjistrim janë faktet se Kosova në periudhën 2011-2024 ( periudha në mes dy regjistrimeve të popullsisë) po tkurret, po zbrazet dhe po plaket.
Shikuar në kontekst të zhvillimit historik demografik, Kosova shpërthimin demografik e përfundoi në vitet e ’80 dhe fillim të viteve të ’90 të shekullit XX, stagnimin demografik e përjetoj në dekadën e parë të shekullit XXI, ndërsa në dekadën e dytë e këtij shekulli Kosova ka përjetuar fazën e recesionit demografik me hapa të shpejtë drejt një krize demografike. Për fat të mirë Kosova në krahasim me vendet e të gjithë Ballkanit Perëndimor, madje edhe në Evropën Juglindore ende karakterizohet me shtim natyror pozitiv (numri i lindjeve më i lartë se i vdekjeve edhe pse diferenca në mes dy komponentëve te shtimit natyror po zvogëlohet gjithnjë) duke e zbutur pasojat në recesionit / krizës demografik të shkaktuar në radhë të parë nga fluksi shumë i lartë i emigrimit.
Emigrimet e çerekut të parë të shekullit XXI janë valët më të pafavorshme të emigrimeve deri tani në Kosovë. Ky trend po zhvillohet në rrethana të reduktimit të lindshmërisë, rënies së shtimit natyror, me tendenca te rënies të numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe procesit të përshpejtuar të deformimit të strukturave te popullsisë sidomos asaj sipas moshës drejt plakjes së popullsisë. Përveç numrit të përgjithshëm të emigrimit, shqetësues është sidomos fakti se emigrimet e kësaj periudhe kanë marr karakter familjar (familje të tëra po largohen) qoftë si familje apo edhe me bashkim familjar.
Fatkeqësisht institucionet e Kosovës kanë bërë shumë pak në adresimin e faktorëve nxitës të emigrimit siç janë: zhvillimi ekonomik, papunësia dhe punësim i pasigurt të rinjtë, perspektiva për një jetë më të mirë dhe të sigurtë, më të dinjitetshme, zgjidhjen e çështjeve të strehimi sidomos të çifteve të reja etj. Pra edhe pse Kosova në periudhën pas pavarësimit karakterizohet me rritje ekonomike, një rritje e tillë ishte e pa qëndrueshme dhe e pa mjaftueshme për adresimin e problemeve ekonomike që ishin edhe faktorët kryesor të emigrimit duke ndikuar edhe ne zhvillimin demografik duke shkaktuar në radhë të parë rënje të numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe niveli dukshëm më të ulët të lindshmërisë.
Gjithashtu, pasojat e emigrimit manifestohen në të gjitha segmentet e jetës: a) demografike (madhësinë e popullsisë duke shkaktuar humbjen e asaj pjese të popullsisë, e cila përbën potencial zhvillimi, nivelin e lindjeve, rritjes natyrale së popullsisë dhe strukturat e popullsisë- demografike, ekonomike, sociale, etnike etj., përcjell kjo me shpopullim natyror, emigracionin e trurit, plakjes të popullsisë etj ; b) socio- ekonomike (rritjes së ulët e PBB-së për kok banori, ngadalësimi i rritjes ekonomike, humbjen e fuqisë punëtore, ulja e konkurrencës dhe ndikimi negativ në sistemin shoqëror dhe pensionet, emigrimin e personave të kualifikuar etj); c) për sigurinë e vendit (në shekullin XXI, koncepti i “sigurisë” është transformuar shumë dhe nuk barazohet vetëm me sigurinë ushtarake, por përfshin edhe lloje të tjera, të tilla si siguria demografike, ekonomike, ekologjike, politike dhe lloje të tjera të sigurisë); d) në sistemin arsimor (zvogëlimi i numrit të nxënësve dhe studentëve ne te gjitha nivelet e arsimit) etj.
Se Kosova është futur në recesion të thellë demografik me premisa të krizës demografike e vërtetuan edhe te dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024 i cili ne raport me regjistrimin e popullsisë së viti 2011 tregoj për tendenca të tkurrjes, zbrazjes dhe plakjes së popullsisë.
Numri i përgjithshëm i popullsisë – vetëm në periudhën në mes dy regjistrimeve të popullsisë numri i përgjithshëm i popullsisë në Kosovë ka treguar tendencë të zvogëlimit për rreth 10 %, që shprehur figurativit, trego që Kosova gjatë kësaj periudhe (2011-2024) ka humbur aq banorë sa numri i banorëve në tre komunave relativisht të mëdha – Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj së bashku.
Në periudhën në mes dy regjistrimeve të popullsisë 2011-2024 shpopullimi është i pranishëm pothuajse në të gjitha komunat dhe zonat e Republikës së Kosovës. Këtë më së miri e mbështet fakti se nga 38 komunat e Kosovës , 76.3% (29) të tyre karakterizohen me rënie të numrit të popullsisë ndërsa vetëm 23.7% (9) karakterizohen me rritje të popullsisë nga të cilat 8% (3) mund të kategorizohen si komuna me stagnim të popullsisë. që do të thotë se kanë rritje shumë të ulët, ndërsa në 4 ( komuna shumë të vogla për nga numri i popullsisë) rritja mundë te ketë ardhur si pasoj e përfshirjes më të madhe të komuniteteve ne regjistrimin e popullsisë të vitit 2024.
Moshimi demografik- për shkak të dimensionit të gjerë dhe shpejtësisë së përhapjes, shekulli 21 do të jetë shekull i të moshuarve me tendenca intensive të moshnimit, i cili si proces deri me sot nuk është shënuar në historinë e njerëzimit, prandaj nga shumë ekspert të fushës së demografisë shek. XXI është shpallur shekull i plakjes së popullsisë.
Edhe Kosova po përballet me fenomenin e moshimit demografik. Këtë më së miri e verteton fakti i rritjes së moshës mesatare të popullsisë e cili në vitin 2011 ishte rreth 29 vjet për të arritur në rreth 35 vjet në vitin 2024. Kjo rritje e moshës mesatare te popullsisë por edhe indikatorët tjerë, tregojnë se moshimi demografik i Kosovës i shkaktuar në radhë të par nga emigrimi masiv, rënia e lindshmërisë por edhe nga rritja e jetëgjatësisë do ta ndryshon rrënjësisht mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe ndërtojmë të ardhmen tone.
Rënia shumë e shpejt e shtimit natyror dhe emigrimet selektive (grup moshat 20-39 vjet përbëjnë afër gjysmën e emigrantëve), kanë përshpejtuar procesin e plakjes së popullsisë. Kështu, deri sa në vitin 2011 grup moshat mbi 60 vjet përbënin 9.6% te popullsinë, në vitin 2024 kjo pjesëmarrje u rrit në 16.1% . Në të njëjtën kohë grup moshat 0-19 vjet, kanë treguar tendencë te zvogëlimit të pjesëmarrjes nga 38.1% në 29.7%. Se popullsia e Kosovës po plaket e dëshmon edhe fakti i rritjes së popullsisë sipas grup moshave ne periudhën 2011- 2024, ku grup moshat e reja 0-19 vjet treguan tendencë të zvogëlimit për – 25.9%, grup moshat 20-59 vjet zvogëlim për -5.2%, ndërsa vetëm grup moshat mbi 60 vjet kanë treguar rritje për 49.7% (janë dyfishuar).
Emigrimet- edhe pse statistikat e emigrimeve për shkak të specifikave të mbledhjes mundë të konsiderohen jo të plota, megjithatë, edhe të dhëna të tilla të mangëta tregojnë për normë shumë të lartë të emigrimit nga Kosova në periudhën në mes dy regjistrimeve të popullsisë. Kështu, në periudhën 2011-2023 jashtë shtetit kanë emigruar mbi 370 mijë banorë.
Se emigrimet kanë marr përmasa shqetësuese e dëshmon edhe fakti se gjatë periudhës 12 vjeçare Kosovën e kanë braktisur mesatarisht brenda vitit rreth 31mijë banorë. Me fjalë të tjera Kosova në periudhën 2011-2023, për çdo vit ka humbur popullsi e një komunë me madhësinë e komunës së Istogut. ose Klinës nga emigrimet, ose për kuptim edhe më të lehtë gjatë vitit 2021 dhe 2022 mesatarisht brenda ditës Kosovës e kanë braktisur rreth 119 persona ose çdo 12 minuta 1 person.
Edhe më shqetësues është fakti se bazuar në studime të ndryshme të realizuara në vend, rreth 60% e të anketuarve kanë shprehur dëshirën të ikin nga Kosova kryesisht gjenerata të reja 20 deri në 40 vjet të cilët përbëjnë rreth gjysmën e numrit të emigrantëve dhe të cilët përbejnë kontingjentin kryesor demografik dhe lindshmërisë, kontingjentin e punës, te sigurisë etj., duke shkaktuar rënie te “kapitalit human”, si bartësin kryesor të zhvillimit socio-ekonomik.
Gjendjen e krijuar me emigrimet, të cilat Kosovën e kanë futur në një krizë demografike dhe socio-ekonomike, më së miri do ti pergjigjej postulata e fituesit nobel për ekonomi (2001) George Akerlof, sipas të cilit, “sa më shumë njerëz largohen nga një vend, aq më pak tërheqës bëhet që të tjerët të qëndrojnë”, ose edhe fjala e urtë popullore “sheh fiku-fikun dhe piqet!
Në funde edhe pse prej vitesh ( të paktën një dekadë e gjysëm) kemi ngritur zërin për pasojat nga zhvillimet e pa favorshme demografike në vend dhe konstatimit se vendi po përballet me humbjen e burimit më të rëndësishëm që janë njerëzit- kapitali human, megjithatë dimensionet e problemit dhe pasojat nga zhvillimet e tilla ende nuk janë kuptuar nga institucionet vendimmarrëse meqenëse mungojnë aksione dhe politika në drejtim të zgjidhjes së problemeve demografike drejt një zhvillimi të qëndrueshëm demografik të vendit i cili do të nënkuptonte edhe zhvillim të qëndrueshme të segmenteve tjera jetësorë në Kosovë, përjashto këtu disa veprime simbolike të viteve të fundit.
Rritja e vëmendjes, përkushtimi ndaj recesionit dhe krizës demografike, ndërmarrjen e masave dhe politikave urgjente për “ vënien nën kontroll“ të këtyre zhvillimeve, edhe më urgjente e bënë fakti se recesioni dhe kriza demografik janë me pasoje edhe më të mëdha se vet recesioni ose edhe kriza ekonomik, prandaj zhvillimet demografke duhet të jetë prioritet absolut.
Edhe pse sot shoqëria njerëzore duke përfshirë edhe atë kosovare po përjetojnë kohëra të vështira ekonomike e gjeopolitike, adresimi i sfidave demografike do të duhej të ishte prioriteti më i rëndësishëm për qytetërimin tonë, jo vetëm për vitet në vazhdim por edhe në dekadat e ardhshme.
Ndërmarrja e masave dhe politikave duhet të jenë të menjëhershme dhe urgjente para se recesioni dhe kriza demografik të marrin përmasa serioze dhe të shndërrohen në faktor kritik në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës në vitet e ardhshme. Këto masa mundë të jenë të shumta duke filluar nga krijimi i kushteve dhe perspektivës për jetë më të mirë sidomos për rinin e deri te taksat, politikat e arsimit, strehimit etj.
Me zhvillimet demografike të periudhës në mes dy regjistrimeve të fundit Kosova ka kaluar fazën e recesionit demografik dhe është futur në fazën e parë të krizës demografike e cila si fenomen nuk do të duhej të lejonte indiferent asnjë institucion shkencor e politik të vendit. Në të kundërtën, qasja jo adekuate ndaj zhvillimeve demografike, mungesa e politikave të mirëfillta popullatave etj., nënkupton se zhvillimet demografike do të përbëjnë një sfidë të madhe për popullsinë, politikat ekonomike, arsimore, sociale, sigurisë etj., në Kosovë në një të ardhme të afërt.
Autori (Sami Behrami) është doktor i shkencave të gjeografisë- demografisë