Klestori Veseli, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i është përgjigjur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili në një emision televiziv tha se PDK-ja ka disa kryetarë dhe disa prej tyre marrin instruksione nga Haga.
Veseli e ka cilësuar këtë deklaratë si të pavend dhe aspak dinjitoze.
“Për familjen tonë dhe familjet e bashkëluftëtarëve të babait, që po ballafaqohemi me sfida jo të lehta tash e disa vite, deklaratat e tilla jo vetëm që na rëndojnë gjendjen neve, por nuk i bëjnë nder as vetë kryeministrit në detyrë,” ka shkruar Klestori në një postim në Instagram.
Ai ka theksuar gjithashtu se kryetari i PDK-së është Memli Krasniqi dhe i ka bërë me dije Kurtit dhe gjithë të tjerëve në skenën politike se “nuk kanë pse t’i frikësohen debateve konstruktive politike”.
/GazetaSinjali/