Redi Jupi mund të shkaktojë polemika të reja pas një interviste televizive për kanalin serb të sportit Sport Klub, të shtunën para ndeshjes Shqipëri-Serbi.
Në intervistën e dhënë për Sport Klub, Jupi përdori gjuhë përbashkuese, jo të urrejtjes. Por, e anashkaloi dhe e nënvlerësoi problemin historik mes shqiptarëve dhe serbëve: Kosovën.
Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, aktualisht specialist futbolli në studiot televizive në Tiranë, tha se shqiptarët e Shqipërisë nuk përfshihen në debatet për të kaluarën për Kosovën, raporton Paparaci.
I pyetur pak orë para ndeshjes Shqipëri-Serbi për emocionet rreth lojës së futbollit, Jupi u shpreh se shpreson që futbollistët do t’i lënë anash ndjenjat rreth takimit dhe të fokusohen në aspektin sportiv.
“Shiko, ne duhet të jemi të qartë sa i përket kësaj. Nuk është ndeshje normale. Është ndeshje plot emocione, plot histori… nuk mendoj histori sportive, por histori politike dhe nuk do të jetë e lehtë për futbollistët tonë që të mbeten jashtë gjithë kësaj. Por, shpresoj që do ta lëmë anash këtë, siç ne shqiptarët kemi bërë me historinë mes Kosovës dhe Shqipërisë, Shqipërisë dhe Serbisë, sepse siç e keni parë, të gjithë serbët janë të mirëpritur këtu. Nuk kemi pasur kurrë problem me këtë. Serbët vijnë këtu, bëjnë biznes, bëjnë pushime dhe gjithçka është mirë për ata këtu”, tha Jupi.
Ai i tha gazetarit serb se ndeshja e tetorit 2014 në Beograd nuk ishte normale dhe se publiku serb nuk u soll siç do të duhej me ekipin shqiptar.
“Por, kur po flasim për këto ndeshje, kemi precedentin e ndeshjes që kemi luajtur në Beograd atje dhe nuk ishte ndeshje normale. Shumë gjëra ndodhën atje, siç e dini publiku serb nuk u soll siç do të duhej të sillej. Nuk dua të flas shumë për këtë. Shpresoj që të gjithë futbollistët, jo vetëm ata nga Kosova, nuk do t’i kenë në kokë këto probleme. Ata duhet të mendojnë vetëm për pikët që duhet të marrin nga kjo ndeshje”, tha Jupi.
Në fund të intervistës, ai tha se do të dëshironte një fitore të Shqipërisë me dy gola epërsi apo më tepër, por parashikoi një barazim mes dy ekipeve, ashtu siç edhe rezultoi të jetë rezultati i takimit.