Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë, që shpeshherë dalin të jenë edhe të mitur.
Një i mitur është kapur me armë zjarri në Mitrovicë, më 22 maj 2025 rreth orës 18:50.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për B.Z., 17 vjeçar, i cili u ndalua nga njësitë policore nën dyshimin se posedonte një armë të shkurtër pa leje. Në momentin e ndërhyrjes, Policia ka sekuestruar armën dhe e ka shoqëruar të miturin në stacionin policor.
I dyshuari është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës. Pas konsultimit me prokurorin e rastit, vepra është kualifikuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa ndaj të miturit është urdhëruar procedurë e rregullt në gjendje të lirë.
Hetimet janë duke vazhduar për të zbuluar burimin dhe qëllimin e mbajtjes së armës.