Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu është raportuar së fundmi në Ferizaj, ku një 30-vjeçar ka humbur çdo kontakt me familjen që nga mëngjesi i së enjtes, më 8 maj.
Burime nga rrethi i tij bëjnë të ditur për Sinjalin se Egzon Guri, banor i rrugës “Epopeja e Jezercit” në Ferizaj, është larguar nga shtëpia rreth orës 08:30, pas një bisede me bashkëshorten, duke i thënë: “Nuk vi në shpi ma”.
Që nga ajo kohë, nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjen apo gjendjen e tij. Familja ka kërkuar ndihmë në gjithë rrethin familjar dhe shoqëror, por pa rezultat. Egzoni nuk është recidivist dhe, sipas të afërmve, kjo është hera e parë që largohet në këtë mënyrë.
Ai është i gjatë 1.96 metra, peshon rreth 90–100 kilogramë, me flokë dhe sy ngjyrë kafe. Në momentin e fundit që është parë, kishte të veshura xhinse të kaltërta, një maicë të gjelbër dhe atlete të kaltërta.
Familjarët janë të shqetësuar dhe i bëjnë thirrje kujtdo që mund të ketë ndonjë informacion të besueshëm për vendndodhjen e tij, të ndihmojë.
/GazetaSinjali/