8.6 C
Mitrovice
E diel, 4 Maj, 2025
spot_imgspot_img

Në Mitrovicë ka pasë një hoxhë, pas të cilit kanë kthyer kokën të gjithë, ama të gjithë

Në Mitrovicë ka pasë një hoxhë, pas të cilit kanë kthyer kokën të gjithë, ama të gjithë! Shqiptarë, boshnjakë, serbë, turq, romë, të gjithë! Muslimanë dhe jo muslimanë, të gjithë!

Shkruan: Besa Ismaili

Unë isha e vogël e ai më dukej i madh, shumë i madh.

E kujtoj kur e shikoja nga dritarja, s’di gjithmonë disi ishte vakti i ikindisë, shkëlqente. Rrezonte. Çallmja më e bardhë se bora dhe xhybja e hirtë çanin nëpër urë. Ishte burri më pedant i qytetit. Në urë të Ibrit kur ecte mulla Milazimi deri në xhaminë e tij? Çdo hap i tij ishte i pastër, i rëndë, me vetbesim, me qëllim.

Hasret e prisja Ramazanin. Prindërit e mi e kanë pasur zakon, çdo Ramazan të ftonin imamët e qytetit në iftar. Hynte i pari mulla Asllani e pas tij Mulla Milazimi dhe të tjerët, por në krye të minderit gjithmonë ulej mulla Milazimi. Vitet e 80-ta dhe unë e motrat e mia gëzim e kishim rastin, kur na thirrnin pas iftari dhe pas faljes së akshamit, të hynim në dhomë për pak minuta e të recitonim ndonjë dovë para tyre, që të na uronin ata pastaj.
Të pakta i kishte fjalët mulla Milazimi krahasuar me tjerët, por fytyra e tij të fliste shumë maturi, qetësi, prehje.

Atë ditë kur xhamia e urës së Ibrit, xhamia e mulla Milazimit, po digjej flakë, nëna ime mu ofrua te dritarja ku po shikoja e më tha: “inshallah është mirë mulla Milazimi, se xhamia bëhet edhe më mirë, kot e kanë!”

Si rrodhën gjërat, mulla Milazimi mirë nuk kish qenë atë ditë dhe që nga ajo ditë ai nuk u bë mirë kurrë ….sikundër që as xhamia nuk u bë më…

Më vjen n’gojesh të them shumëçfarë sot për çallmet hijerëndë që na merr malli me i pa sot në rrugë, për shkëlqimin e munguar, për nderin dhe bereqetin që nuk na trokasin më në derë…

Po përbihem me një lutje Zotit për kërkimfalje për ne dhe shpërblim për rahmetlinjtë Mulla Milazimin, mulla Asllanin, mulla Bajramin, haxhi Hamzën dhe mulla Sylën.

Shumë e uji nën urë të Ibrit ka ecë, por kujtimet nuk po na i merr dot. Shpresën që xhamia do ribëhet vetëm sa na e ujitë!

Mulla Milazimi që atëherë më dukej i madh, sot pas tërë këtyre viteve, më duket edhe më i madh. Gjigant.

 

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT