20.5 C
Mitrovice
E shtunë, 3 Maj, 2025
spot_imgspot_img

Cotton: Kënaqësi të luash në “Minatori”

Tekele Cotton i realizoi 18 pikë, shtatë kërcime e shtatë asistime në fitoren e tretë të Trepçës ndaj Sigal Prishtinës në gjysmëfinale të plejofit. Me fitoren e së mërkurës në Prishtinë, Trepça siguroi paraqitjen në finale, ku do të përballet me Bashkimin e Prizrenit.

Fundori amerikan, Cotton, ishte më i miri në ndeshjen e fundit me Prishtinën. Më i miri apo prej më të mirëve, 31-vjeçari është në të gjitha ndeshjet e këtij viti. Në Superligë, Cotton po luan me mesatare prej 15,5 pikëve, 4,7 asistimeve e 3,8 kërcimeve për ndeshje. Sipas të dhënave statistikore, është lojtari më i vlefshëm i “xehetarëve”.

Cotton është gati dhe i motivuar për serinë finale të plejofit. Ndeshja e parë është të dielën, nga ora 19:00, në Prizren.

“Jemi gati për finale. Kemi bërë punë goxha të mirë që të përgatitemi për atë që është para nesh. Sa u takon paraqitjeve personale, jam i kënaqur me përparimin që kam bërë. Por asnjëherë nuk jam i kënaqur pa përfunduar puna. Kështu që vëmendja ime është te seria finale”, ka thënë Cotton të premten për KOHËN.

Ai ka karrierë goxha të suksesshme. Pas viteve në NCAA luajti për Riesen Ludwigsburg në Bundesligë të Gjermanisë. Ishte te Torino në elitën italiane, te Kalev/Cramo në Estoni. Është kthyer më pas te Ludwigsburgu në Gjermani, ndërsa luajti edhe për dy skuadra të kategorisë së dytë italiane dhe së fundi për skuadrën nga Lituania, Mazheikiai. Te Trepça erdhi më 20 dhjetor të vitit të kaluar. Menjëherë mori përgjegjësi të madhe, sidomos për realizimin e pikëve dhe u bë prej bartësve të lojës të ekipit mitrovicas.

“Jam i kënaqur me atë që ka bërë ekipi deri më tani. Të gjithë po luftojnë shumë dhe është një grup i shkëlqyer për të garuar së bashku. Por, e përsëris, kemi ende punë për të bërë kështu që po shikojmë para drejt sfidës së radhës”, ka shtuar Cotton.

Ai thotë se ka respekt për të gjitha skuadrat në Kosovë. Për Trepçën thotë se ka staf shumë të mirë të trajnerëve, që bënë punë të mirë. Thotë se Trepça ka edhe grup të lojtarëve të talentuar, por thekson përkrahjen që skuadra merr nga “Torcida”.

“Tifozët këtu janë të shkëlqyer dhe ndihmojnë shumë. Është një nga mjediset më të favorshme për të luajtur. Na kanë ndihmuar shumë”, ka thënë amerikani.

Sipas Cottonit, tifozët me animin e tyre e bëjnë të vështirë për ekipet rivale që të luajnë në “Minatori”.

“Ata janë të gatshëm çdoherë. Është nder dhe shumë argëtim të luash në këtë palestër”.

Cottoni tregon se para se të pranonte ofertën e Trepçës, për basketbollin kosovar ishte konsultuar me fundorin Malcolm Armstead, që luan edhe për Kosovën. Amerikani Armestad është gjatë në basketbollin kosovar, kurse së fundi ishte tek Ylli. Cottoni e falënderon Armsteadin për informatat që ia dha, ndërsa transferimin në Kosovë e vlerëson vendim të qëlluar.

Trepça vjet i fitoi të gjithë trofetë në basketbollin kosovar dhe po ashtu Ligën Unike. Këtë edicion “xehetarët” kanë fituar Superkupën e Kosovës dhe Kupën e Kosovës. Tani janë në finale të plejofit. Suksesi në serinë finale shumë do të varet edhe nga shfaqjet e Tekele Cottonit.

Autor: Arsim Maxhera – Koha.net

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT