14.9 C
Mitrovice
E mërkurë, 30 Prill, 2025
spot_imgspot_img

Deri në vitin 2023, 359 mijë qytetarë lëshuan Kosovën

Instituti GAP publikoi raportin e ri “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”. Gjetjet e raportit u prezantuan në kuadër të diskutimit të Forumit të Platformës për Dialog Publiko-Privat të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (KKEI) mbi zhvillimin e fuqisë punëtore.

Gjetjet e këtij raporti tregojnë se tregu i punës në Kosovë do të vazhdojë të sfidohet nga mungesa e fuqisë punëtore, kryesisht për shkak të emigrimit të qytetarëve dhe shkallës së lartë të fuqisë punëtore jo-aktive.

Deri në vitin 2023, sipas të dhënave zyrtare, numri i personave që janë larguar nga Kosova drejt vendeve të ndryshme të botës ka arritur në 359 mijë persona, që përfaqëson rreth 22.6% të popullsisë së vendit, ndërkaq numri i shtetasve shtetasit kosovarë të kthyer si dhe të huajt që jetojnë në Kosovë është rreth 99 mijë persona. Një pjesë e personave të cilët po emigrojnë nga Kosova janë nga fuqia punëtore aktive, çka po ndikon në rritjen e kërkesës në vend për punëtorë vendas dhe të huaj.

Në vitin 2024, Ministria e Punëve të Brendshme (MBP) në Kosovë lëshoi gjithsej 8,293 leje-qëndrime për shtetas të huaj, prej tyre, 3,974 për arsye të punësimit. Shumica e këtyre imigrantëve janë me origjinë nga shtetet e rajonit si Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe vendet jashtë rajonit si Turqia, Bangladeshi, Filipinet dhe shtetet tjera të Azisë. Megjithatë, mbi gjysma e këtyre lejeve të lëshuara janë vazhdimësi e viteve paraprake. Si rrjedhojë, bilanci i emigrimit mbetet shumë më i lartë se i imigrimit dhe punëtorët e huaj nuk e mbulojnë mungesën e krijuar në tregun e punës.

Zgjidhja më e qëndrueshme për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore në Kosovë është rritja e përfshirjes në treg e personave që i takojnë moshës së punës por që aktualisht nuk janë aktivë në treg (të cilët nuk janë duke punuar dhe nuk janë duke kërkuar punë).

Kosova ka shkallën më të lartë të jo-aktivitetit në Ballkanin Perëndimor: nga rreth 1.1 milion persona në moshë pune, vetëm 461 mijë persona (43%) janë ekonomikisht aktivë, ndërsa 613 mijë persona (57%) janë jo-aktivë. Nga personat jo-aktivë, 66% janë gra dhe 34% janë burra, që nënkupton se veçmas pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës mbetet sfidë serioze. Kosova radhitet e para në Evropë dhe e pesta në nivel botëror për pjesëmarrjen më të ulët të grave në treg të punës. Po ashtu, 78 mijë të rinj (30%) nuk janë të angazhuar në arsim, punë apo trajnim (NEET), një përqindje shumë më e lartë se mesatarja e BE-së (9.9%) dhe më e larta në rajon.

Sektorët më të prekur nga mungesa e fuqisë punëtore janë ndërtimtaria, tregtia me shumicë dhe pakicë, gastronomia dhe hoteleria, dhe prodhimi, nga të cilët edhe prirja për të emigruar është më e lartë. Shumica e pozitave të punës në këta sektorë nuk kërkojnë kualifikime të larta, por përfshijnë detyra të cilat mund të mësohen brenda një periudhe të shkurtër duke sugjeruar se fuqia joaktive vendore do të mund të plotësonte këto kërkesa.

Raporti ofron disa rekomandime dhe masa të cilat synojnë të përmirësojnë përfshirjen e fuqisë punëtore jo-aktive në tregun e punës, si: trajnime për avancimin e njohurive dhe përfshirjen më të lehtë në tregun e punës; mbështetje për rritjen e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjëve në tregun e punës; forcimin e rolit të Agjencisë së Punësimit; si dhe mbështetje për teknologjitë inovative dhe avancimi i shkathtësive në fushën e energjisë së pastër.

Në diskutim ishin të pranishëm edhe akterë të institucioneve publike dhe private, duke përfshirë edhe shoqatat e bizneseve, dhe që rekomandimet e Institutit GAP do të evidentohen dhe prezantohen në diskutimet e mëtejme në kuadër të dialogut publiko-privat.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT