Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për uzurpim të Kuvendit.
Sipas saj partia që ka fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit e ka pamundësuar zhvillimin e seancës sipas Rregullores së Kuvendit.
“Sot, Kuvendi i Republikës u uzurpua. LVV e shndërroi skenën parlamentare në teatër partie, duke pamundësuar zhvillimin e seancës sipas rregullores së punës. Rendi i ditës ishte i qartë: votimi i raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve. Asnjë paqartësi, asnjë arsye për zvarritje. Për miratimin e këtij raporti kërkohet shumicë e thjeshtë, jo konsensus. Jo manovra politike. Jo skenarë të porositur nga lart”, ka shkruar Çitaku në Facebook, pasi që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën pa e hedhur në votim raportin e Komisionit për verifikim të mandateve.
“Por kryesuesi i seancës, në përputhje me urdhrat e krerëve të partisë, devijoi nga procedura ligjore dhe ftoi për “konsultime”, një tentativë e qartë për të shtyrë procesin. Kjo është jo vetëm shkelje e rregullores, por një dhunim i vullnetit demokratik dhe institucional. Kjo është marrëzi”, ka shkruar tutje Çitaku.
Ajo në postimin e saj ka paraqitur edhe një “skenar të vazhdimit të seancës konstiuive”, ku parashihej që Dehari ta hidhte në votim raportin e Komisionit për verifikim të mandateve.