Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pasur kritika të ashpra në drejtim të lidershipit të LDK-së, duke thënë se e ka personalizuar LDK-në dhe se kjo ka ndikuar në rezultatin jo të mirë në këto zgjedhje.
Avdullah Hoti tha se LDK-ja ka marrë rezultat të dobët që nuk përputhet me pritshmëritë e LDK-së para zgjedhjeve dhe gjatë përgatitjes për 4 vjet opozitë.
Sipas Hotit, disa prej problemeve më të theksuara kanë qenë ristrukturimi i LDK-së, të cilin ai e quan “selektiv”, si dhe distancimi nga LDK-ja e së kaluarës.
“Orientimi i lidershipit aktual për të bërë prerje të panatyrshme, si dhe distancimi nga e kaluara e lavdishme shtetformuese e LDK-së, pavarësisht sfidave e lëshimeve gjatë rrugëtimit të lidershipeve të kaluar, kanë zvetënuar besimin e elektoratit tradicional të LDK-së”, tha Hoti në Facebook.
Tutje, ai po ashtu e përmendi si problem të madh edhe personalizimin e partisë nga ana e liderit, me slloganin e famshëm “Lumir 2025” kudo nëpër tubimet e LDK-së.
“Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak”, shkroi më tej Hoti.
Në fund, Hoti kërkoi edhe ndryshim të udhëheqjes së partisë.
“Prandaj, për të kthyer besimin e anëtarësisë dhe elektoratit të gjerë, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri. Nuk ka rrugë tjetër për rikthimin e besimit në LDK”, shkroi Hoti në Facebook.
LDK-ja në këto zgjedhje mori 18.27% të votave në nivel vendi, duke shënuar një ngritje nga rezultati i vitit 2021 kur kishte veç 12.6%, por megjithatë u konsiderua rezultat i dobët dhe nën pritshmëritë që kishte partia./gazetametro.net