Pas 9 shkurtit, Bedri Hamza ka thënë se qeveria e tij do të nis punën menjëherë për t’iu shërbyer qytetarëve.
“Do t’i rris pagat 50%, pensionet bazike 70% dhe do t’i rris investimet publike dhe private. Do të fillojmë ndërtimin e gazpërçuesit dhe termocentralit me gaz. Të përmirësojmë arsimin dhe shëndetësinë. T’i ndreqim marrëdheniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e Bashkimit Evropian. Të lidhim miqësi të reja në krejt kontinentet, me diplomaci të urtë. Dhe kjo është besëlidhja ime me çdo qytetar të Kosovës, çdo votues dhe me çdokënd që e do një Kosovë ma të mirë”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se ky tubim sonte po i jep energji që ta fillojë punën qysh më 10 shkurt.
“Ky tubim sonte, në këtë shesh historik, po më jep energji që qysh të hanën të fillojmë punën për realizimin e premtimeve tona. Nga e hana e 10 shkurtit do t’i përgatis ekipet. Do të punoj me ekspertët më të mirë nga vendi dhe diaspora. Do të ftoj investitorë nga jashtë e nga brenda. Do të koordinohem me aleatët nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Do të bisedoj me partitë që dëshirojnë ndryshim për një Kosovë ma të mirë. Nga e hana do t’i ftoj kandidatët e PDK-së, deputetët e ardhshëm, kryetarët e komunave nga PDK dhe partitë e tjera. Dhe do të punojmë bashkë, bashkë çdo ditë, me frymë bashëpunimi, që ta ndryshojmë Kosovën tonë për të mirë”, ka thënë Hamza.