Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, të enjten e urdhëroi ushtrinë që të përgatiste një plan për ta lejuar “largimin vullnetar” të banorëve nga Rripi i Gazës, raportuan mediat izraelite.
Ky udhëzim vjen pas njoftimit shokues të presidentit amerikan, Donald Trump, se Shtetet e Bashkuara planifikojnë që ta marrin përsipër Rripin e Gazës, t’i zhvendosin palestinezët që kanë qenë duke jetuar aty dhe ta shndërrojnë enklavën në “Rivierën e Lindjes së Mesme”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Unë e mirëpres planin e guximshëm të presidentit Trump, banorëve të Gazës duhet t’u lejohet liria për t’u larguar dhe për të emigruar, siç është norma në mbarë botën” – citohet të ketë thënë ministri Katz, sipas raportimit të televizionit izraelit “Channel 12”.
Kur u pyet se kush do t’i pranojë palestinezët, Katzi tha se duhet të jenë shtetet që i kanë kundërshtuar operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza, përcjell gazeta “Nacionale”.
“Shtetet si Spanja, Irlanda, Norvegjia dhe të tjerat, të cilat kanë ngritur akuza dhe pretendime të rreme kundër Izraelit për veprimet e tij në Gaza, janë ligjërisht të obliguara për ta lejuar secilin banor të Gazës për të hyrë në territoret e tyre” – tha ai.
Në planin e Katzit do të përfshihen opsione për largim përmes pikëkalimeve tokësore si dhe organizime të posaçme për largim përmes detit e ajrit, raportoi televizioni “Channel 12”.
Trumpi nxiti reagime dhe kundërshtime të mërkurën për shkak të planit të tij për Gazën nga fuqi botërore si Gjermania, Franca, Kina e Rusia, të cilat paralajmëruan se një plan i tillë do të ushqente “vuajtje të re dhe urrejtje të re”.
Shteti me ndikim në rajon, Arabia Saudite, gjithashtu e ka kundërshtuar planin e presidentit amerikan, ndërsa mbreti Abdullah i Jordanisë, i cili do të takohet me Trumpin javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë, tha të mërkurën se ai kundërshton çfarëdo përpjekjeje për të aneksuar tokë dhe për t’i zhvendosur palestinezët./Nacionale