Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka publikuar një video adresuar qytetarëve, ku ka prezantuar planin e PDK-së për mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës.
Në këtë paraqitje, ai ka theksuar përkushtimin e tij për përmbylljen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), dyfishimin e buxhetit për mbrojtje dhe nënshkrimin e një Marrëveshjeje për Siguri dhe Mbrojtje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hoxhaj gjithashtu ka zbuluar një Plan Veprimi për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke e cilësuar këtë si një hap strategjik për garantimin e paqes dhe sigurisë afatgjatë të vendit.
“Vetëm kështu mund ta bëjmë një Kosovë të sigurt, në një Evropë të pasigurtë”, ka thënë Hoxhaj.
Plani i PDK-së në këtë drejtim synon të forcojë aleancat ndërkombëtare dhe të sigurojë mbështetje për avancimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.