8.3 C
Mitrovice
E premte, 31 Janar, 2025
spot_imgspot_img

Trepça në finale të Kupës, fiton thellë ndaj Prishtinës

Trepça është finalistja e parë e Kupës së Kosovës në basketboll. Në gjysmëfinale, Trepça e eliminoi rivalen e madhe, Sigal Prishtinën. Gjysmëfinalja u zhvillua në dy ndeshje, ndërsa në ndeshjen e kthimit mitrovicasit fituan thellë, me rezultat 84:66.

Ndeshja Trepça – Sigal Prishtina u zhvillua të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Palestra buzë lumit Ibër ishte e mbushur me shikues, ndërsa përkrahja për skuadrën vendase ishte e madhe. Presioni për ekipin mysafir po ashtu. Në çerekun e tretë ndeshja u ndërpre për pak minuta, deri në largimin e një pjese të shikuesve nga tribuna VIP.

Trepça është fituese në fuqi e Kupës së Kosovës, ndërsa në finale takohet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Bashkimit e Vëllaznimit. Ndeshja e dytë mes këtyre dy skuadrave luhet të enjten prej orës 18:30.

Çereku i parë i ndeshjes mes Trepçës e Prishtinës ishte i barabartë, 22:21. “Xehetarët” shkëputjen e nisën menjëherë në fillim të çerekut të dytë të cilin e fituar 21:15. Pas pjesës së parë rezultati ishte 43:36 për vendasit.

Dallimi u bë sidomos në çerekun e tretë, të cilin Trepça e fitoi 26:16. Në këtë çerek shpërtheu Mikaile Tmushiq me disa treshe rresht.

Ndërkohë çereku i katërt ishte sërish i barabartë dhe kështu Trepça e mbajti epërsinë e lartë të krijuar sidomos në çerekun e tretë.

Te Trepça më i miri ishte Mikaile Tmushiq me 23 pikë. Ai i kishte edhe pesë kërcime. Tekele Cotton realizoi 15 pikë e pesë kërcime, ndërsa Michael Myers i realizoi 11 pikë e katër kërcime. Kontribuoi edhe fundi tjetër amerikan, Malik Johnson me 13 pikë, shtatë asistime e katër kërcime.

Donte Clark i kishte statistikat më të mira te Sigal Prishtina. Ai ndeshjen e përfundoi me 10 pikë, nëntë kërcime e katër asistime. Rashid Mahalbashiq i kishte 14 pikë e nëntë kërcime, por edhe pesë topa të humbur e shumë gjuajtje jo të sakta. Josh Nzeakor i realizoi 13 pikë, tri kërcime e tri asistime, ndërsa Muhamedali Janjeva kontribuoi me 15 pikë e katër kërcime, që megjithatë nuk mjaftuan.

Kjo ishte ndeshja e tretë brenda një kohe të shkurtër mes Trepçës e Prishtinës. Dy ndeshjet e kaluara i fitoi skuadra prishtinase me rezultat të ngushtë. Por të mërkurën dominuan “xehetarët” dhe siguruan një tjetër finale. Mitrovicasit i kanë luajtur të gjitha finalet në vitet e fundit. Vjet i fituan të gjitha po ashtu./koha.net

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT