8.3 C
Mitrovice
E enjte, 9 Janar, 2025
spot_imgspot_img

Avokati: Qeveria ka 60 ditë afat për t’ia kthyer Behgjet Pacollit paratë për Grandin, shuma rreth 7 milionë euro

Gati 20 vjet pas tentativës së dështuar për privatizimin e Hotelit Grand në Prishtinë, shteti i Kosovës do t’i paguajë mbi 7 milionë euro kompanisë Mabco Construction, që fitoi gjyqin në arbitrazhin ndërkombëtar në fillim të janarit.

Kjo kompani, në pronësi të Behgjet Pacollit, deputet dhe ish-president i Kosovës, pretendon se i është bërë padrejtësi, pasi ka paguar për aksione të hotelit që nuk i mori kurrë. Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka pranuar se do të duhet ta kryejë këtë pagesë, por ka theksuar se “Grandi do të mbetet në pronësi të Kosovës”.

Një recepsion i gjerë, me dollapë të vegjël që mbajnë çelësat e dhomave, është pamja e parë që të shfaqet në hyrje të Hotelit Grand në Prishtinë. Megjithatë, pritja e mysafirëve nuk është aktualisht aktiviteti më i zakonshëm në këtë objekt, që është në pronësi publike.

Së voni, në të djathtë të recepsionit, shpesh shihen fleta të bardha me mbiemra familjesh dhe shigjeta orientuese, që drejtojnë për në salla ku organizohen pritje ngushëllimesh në raste vdekjesh.

Kjo është një nga mënyrat sesi po përdoren sallat e hotelit sot, i cili në vitet ’70 kishte namin si një nga hotelet më të mëdha në ish-Jugosllavi.

Në Grand janë vendosur gjithashtu disa biznese dhe organizata joqeveritare, të cilat operojnë në hapësirat e këtij objekti me një sipërfaqe prej rreth 32.000 metrash katrorë.

I ndërtuar në vitin 1978, hoteli ka gjithsej 350 dhoma, por, sipas deklarimeve të fundit në media të menaxhmentit, aktualisht janë funksionale vetëm rreth 150 prej tyre, me pagesë prej rreth 20 eurosh në natë.

Prania e tij online është pothuajse inekzistente, përfshirë në platformat ndërkombëtare për udhëtime si Booking, ndërsa ueb-faqja zyrtare e hotelit nuk funksionon.

Si nisi dhe pse dështoi privatizimi i hotelit?

Që nga ndërtimi, Hoteli Grand ishte pronë shoqërore, i destinuar për akomodim dhe gastronomi.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftës në Kosovë më 1999, Grandi kaloi në pronësi të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM).

Kjo agjenci, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, u shndërrua në atë që sot quhet Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e cila merret me privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore.

Në vitin 2005, asokohe AKM-ja nisi procesin e privatizimit të Hotelit Grand, përmes një metode të njohur si “Spin Off Special”, sipas së cilës blerësi nuk kishte të drejtë ta ndryshonte funksionin e ndërmarrjes.

Në vitin 2006, pas përfundimit të procedurave të ofertimit, fitues u shpall Zelqif Berisha, pronari i kompanisë Unio Commerce.

Sipas kontratës, Berisha do të paguante mbi 8 milionë euro në këmbim të aksioneve të Grandit.

Kontrata parashihte që blerësi i Grandit të investonte rreth 20 milionë euro brenda dy vjetësh dhe të punësonte më shumë se 400 punëtorë.

Pas konstatimit se investimet e parapara nuk ishin realizuar, më 2012, institucioni, që tashmë njihej si AKP, vendosi t’i rikthente aksionet e Grandit, duke ia hequr pronësinë Berishës.

Ndonëse ishte ankuar në shumë instanca gjyqësore, deri në Gjykatën Kushtetuese, Zelqif Berisha nuk arriti kurrë t’i rikthente aksionet e Grandit.

Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë komente nga Berisha në lidhje me këtë çështje, por ai nuk ishte i qasshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Si u përfshi në këtë histori kompania e Behgjet Pacollit?

Në gjithë procedurën për blerjen e Grandit, Zelqif Berisha dhe kompania e tij figuronin zyrtarisht si blerësit e vetëm.

Megjithatë, në atë kohë, pretendentë për aksionet e Grandit u bënë edhe kompania e Behgjet Pacollit, Mabco Construction, e regjistruar në Zvicër, si dhe biznesmeni tjetër nga Kosova, Remzi Ejupi, me kompaninë e tij Eurokoha Reisen.

Këta të dy, sipas deklarimeve publike dhe proceseve të mëvonshme gjyqësore, pretenduan se kishin arritur një marrëveshje me Berishën për të bashkëfinancuar blerjen e Grandit.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Berisha do të mbante 40% të aksioneve, ndërsa Mabco do të fitonte 40% të tyre dhe 20% të tjera do t’i takonin Eurokohës.

Mabco pretendoi se për blerjen e Grandit kishte bërë një transferim prej 4 milionë eurosh, para që u inkasuan nga AKP-ja.

Megjithatë, bashkëpronësia e kompanive të tjera nuk u njoh kurrë nga AKP-ja dhe nuk u zyrtarizua gjatë procesit, pavarësisht se dy kompanitë e tjera ndoqën çështjen ligjërisht në shumë instanca gjyqësore.

Përfaqësuesit e Zelqif Berishës kanë thënë po ashtu se kompania e tij ka bërë investime në Grand.

Çështja mbeti pezull deri në vitin 2017, kur Mabco Construction paraqiti një ankesë në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve të Investimeve (ICSID), një gjykatë ndërkombëtare arbitrazhi në Uashington, duke kërkuar që kompanisë t’i ktheheshin paratë e paguara.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT