8.3 C
Mitrovice
E enjte, 9 Janar, 2025
spot_imgspot_img

Xhihadistët e huaj në HTS i ndajnë vetes grada të larta në Siri, në mesin e tyre edhe një shqiptar

Sundimtarët e rinj të Sirisë raportohet se u kanë dhënë poste të larta ushtarake disa luftëtarëve të huaj islamikë, përfshirë një shqiptari nga Maqedonia e Veriut. Kjo ka rritur frikën në vendet e origjinës të luftëtarëve për një eksport të mundshëm të revolucionit në tokën e tyre.

Përveç shqiptarit me origjinë nga Maqedonia e Veriut, Reuters dhe AFP, duke u thirrur në burime brenda Sirisë, kanë raportuar se edhe një shtetas i Taxhikistanit dhe tre ujgurë kinezë janë në mesin e të huajve që janë promovuar në poste zyrtare, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Atyre u është dhënë grada e gjeneral-brigadier dhe të paktën një prej tyre ka marrë postin e kolonelit sipas raportimeve që Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.

Abdul Samrez Jashari, i lindur në Maqedoninë e Veriut – i njohur edhe si Abu Qatada al-Albani – në një profil në Facebook, që besohet se ai qëndron pas tij, ka shkruar se ka marrë gradën e kolonelit.

Jashari, 48 vjeç, është udhëheqës i “Xhemati Albani”, i cili është një grup militant i përbërë kryesisht nga shqiptarët etnikë.

Ky grup ka aleancë me Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – grupin islamist të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që rrëzoi nga pushteti presidentin sirian, Bashar al-Assad në dhjetor të vitit 2024.

Abdul Jashari që nga viti 2016 është i sanksionuar nga SHBA-ja. Sipas vendimit të Thesarit, ky këshilltar ushtarak është sanksionuar si njëri nga liderët e Al-Nusrës, degë e Al-Kaidës në Siri, dhe ka ndihmuar në mbledhjen e fondeve për familjet e luftëtarëve të Nusrës.

Një tjetër luftëtar i huaj i emëruar kolonel u identifikua nga blogerët taxhikë, të afërt me forcat e HTS-së, si Saifiddin Tojiboev, luftëtar nga Taxhikistani.

REL-i nuk ka mundur të verifikojë autenticitetin e raportimeve lidhur me emërimin e supozuar të Tojiboevit si komandant i operacioneve dhe promovimin e tij nga major në kolonel.

Një burim nga sektori i sigurisë në Taxhikistan, i tha REL-it se Qeveria e këtij shteti është në dijeni për lajmin lidhur me emërimin e ri të Tojiboevit.

Tojiboev, 41 vjeç, është person i kërkuar në Taxhikistan dhe akuzohet se ka marrë pjesë në një konflikt të huaj, se është anëtar i një organizate terroriste dhe se ka rekrutuar luftëtarë për grupe terroriste. Ai po ashtu është në listën e sanksioneve të Bankës Qendrore taxhike, ku i ndalohet që të kryejë aktivitete financiare.

“Tojiboev dhe i vëllai kanë shkuar në Siri më 2013 dhe që atëherë kanë marrë pjesë në konflikte ushtarake atje”, tha në burim në Dushanbe për REL-in. “Tojiboev po ashtu ka rekrutuar disa shtetas taxhikë që t’iu bashkohen organizatave terroriste”.

Tojiboev ishte anëtar i Partisë së Rilindjes Islame të Taxhikistanit (IRPT), një lëvizje dikur popullore në Dushanbe, e cila më 2015 u ndalua dhe u shpall terroriste. Kjo parti ka mohuar akuzat për terrorizëm.

HTS-ja ende zyrtarisht nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike lidhur me emërimin në poste të luftëtarëve të huaj.

Ky grup islamik është zotuar se do të aplikojë politika të moderuara sa u përket të drejtave të grave, është zotuar për pajtim kombëtar dhe raporte me komunitetin ndërkombëtar. Po ashtu, HTS-ja po tenton të krijojë një ushtri profesionale duke përfshirë persona nga fraksione të ndryshme militante që janë aleatë me të.

Në HTS bëjnë pjesë një numër i madh i luftëtarëve nga Rusia, Azia Qendrore dhe Ballkani. Shumica e tyre shkuan në Siri pasi grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS) kishte njoftuar për krijimin e kalifatit në pjesë të Sirisë dhe Irakut më 2014.

Shqetësime në vendet e origjinës

Në shtetet e tyre të origjinës, shumë nga këta luftëtarë shihen si kërcënime potenciale për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare.

Adrian Shtuni nga Qendra Ndërkombëtare Kundër Terrorizmit në fund të vitit 2024 i tha Radios Evropa e Lirë se nuk beson se tani mund të rriten interesat e luftëtarëve shqiptarë për t’u kthyer në vendet e tyre, edhe pas rënies së regjimit të Assadit.

“Nuk jam i sigurt që ata do të donin të ktheheshin, pasi këta persona janë të fokusuar, kanë një prapavijë xhihadiste, kanë rrezikuar jetën për synimet e tyre ideologjike, të cilat nuk i kanë fshehur”, deklaroi, duke shtuar se disa prej tyre mund të kenë ambicie për pozita në qeverisjen e re në Siri.

Kush është Xhemati Alban që udhëhiqet nga Jashari?

Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë që vepron në Uashington dhe bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare për Kundërterrorizëm, në Hagë, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se Xhemati Alban ka qenë aktiv në Siri që prej vitit 2012, ndonëse jo zyrtarisht me këtë emër.

“Por, komponentët e tij, personat që e kanë formuar këtë grup më vonë e kanë përdorur këtë si emër”, tha ai.

Sipas tij, ky grup është i përbërë prej dhjetëra personave, ka strukturë komanduese etnike shqiptare dhe bëhet fjalë për “një grup islamist xhihadist dhe të strukturuar mirë”.

“Personat që janë anëtarë të këtij grupi, vijnë kryesisht nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, por edhe nga trevat e tjera shqiptare në Ballkan, dhe nga diaspora”, ka thënë Shtuni.

“Udhëheqësi i grupit shqiptar atje, është një 48-vjeçar, nga Shkupi i cili njihet me emrin Abu Qatade al-Albani. Emri i vërtetë i tij është Abdul Jashari dhe ka pasur funksione të larta këshilluese me komandantin e HTS-së”, ka shtuar ai.

Radio Evropa e Lirë ka verifikuar një video të 30 nëntorit 2024, ku u shfaq një ushtar që fliste shqip duke qëndruar në një kala në qytetin e Alepos. Videoja u xhirua në ditën kur HTS-ja mori kontrollin e qytetit veriperëndimor.

I njëjti ushtar mbante një shenjë dalluese të “Albanian Tactical”, i cili besohet të jetë një nëngrup i Xhematit Alban, i fokusuar në trajnime.

“Xhemati Alban është i ndarë në disa grupe të cilat janë të specializuara: njëri për minahedhje, tjetri është grup snajperistësh dhe pastaj kemi edhe këtë grupin trajnues i cili quhet Albanian Tactical”, ka dekluar Shtuni.

Sipas tij, grupi i shqiptarëve dhe udhëheqësia e tij kanë një rëndësi të veçantë në kuadër të HTS-së./evropaelire.org

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT