Për të dytën herë brenda pak muajsh ambasadori amerikan (tash në largim), Jeffrey Hovenier, i dha premisat për konkluzionet që duhet “t’i nxirni ju vetë” në termat e ngecjes së vendit kundrejt aderimit në botën perëndimore: prej mosanëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, të qënit në vendnumëro në proceset integruese euro-atlantike si BE e NATO; e deri te raportet e rënduara Prishtinë-Uashington.
Në intervistën lamtumirëse në ‘Rubikon’ u pyet për fjalinë e tij të vrazhdë që “nuk duhet psh**rur para derës së klubit ku doni të hyni” e cila qe formuluar në kuptimet më eksplicite si mesazh ndaj qeverisë në kursin e saj të paepur e deri konfrontues me QUINT-it dhe forcën paqembajtëse të NATO-s në vend, KFOR-in për çështjen e Urës së Ibrit.
Adriatik Kelmendi: Çka ju bëri të thonit diçka të tillë?
Jeffrey Hovenier: (..) shumë e drejtpërdrejtë, që nëse doni të jeni pjesëmarrës të një bashkësie si BE-ja e NATO, juve ju duhet të jeni të pëlqyeshëm për ta, të bëni krejt çka është e mundshme që jeni të përgjigjshëm ndaj shqëtësimeve (…)
Këtu iu kthye konkluzioneve të miratuara në Këshillin e Bashkimit Evropian – i.e të shndërruara në ligje për bllokun njëzet e shtatë shtetësh – të cilat i quajti “shumë të fuqishme”.
ShBA-ja – tha ai – “ndjehet absolutisht njësoj” me ato konkluza.
Por, në insistimin e gazetarit që e vërteta e (mos)raporteve bashkëpunuese të mos shpërbëhet në zhargon të përzbutur diplomatik, Hovenier u detyrua të prejë që “(…në atë rast) Kosova do të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës”.
“Mendoj se do të kishit një trajektore të kthjellët drejt anëtarësimit në BE, që është një rrugë e rëndë dhe e gjatë, dhe mendoj se do të ishim në pozicion që të shtynim para më fort për afrimin e Kosovës në marrëdhëniet e saj me NATO-n. Këto dy gjëra janë çka mund t’ua vendos në tavolinë”.
“Dhe, mendoj që Kosova veçse do të ishte anëtare në Këshill të Evropës”, vazhdoi Hovenier.
Pra, humbëm shumë shanse?
Po ju lë juve t’i nxirrni konkluzionet vet. /Nacionale