Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se uji nga kanali i Ibër Lepencit nga sot mund të përdoret për pije.
IKSHPK përmes një njoftimi për media ka njoftuar se janë bërë analizat e nevojshme të ujit.
“IKSHPK gjatë këtyre ditëve nga të gjitha impiantet e lartëcekura ka marrë gjithsej 100 mostra të ujit për analiza fiziko-kimike, 100 për analiza bakteriologjike si dhe 13 mostra për analiza në metale të rënda (në ujin e pa trajtuar dhe ujin nga rrjeti shpërndarës). Rezultatet laboratorike nga dy laboratoret , IKSHPK dhe QRSHP-Mitrovicë, për katër ditët e fundit (e premte, e shtunë, e diele dhe e hënë, 06-09 dhjetor-2024) rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes për të gjithë parametrat e kërkuar sipas UA 10/2021 ”Cilësia e Ujit të destinuar për konsum nga njeriu”, thuhet në komunikatë.
IKSHPK ka rekomanduar KRU “Mitrovica” dhe KRU “Prishtina” që të vazhdojë mbikëqyrjen dhe trajtimin e ujit dhe të sigurojë ujë në sasi dhe cilësi, sipas standardeve për ujin e pijes bazuar në UA 10/2021 ”Cilësia e Ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.
“IKSHPK falënderon qytetarët për mirëkuptimin e shprehur gjatë tërë kësaj periudhe dhe i siguron ata se do të vazhdojë me monitorim të rregullt të cilësisë së ujit me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve. Bashkëpunimi i IKSHPK-së me KRU “Mitrovica” dhe KRU “Prishtina” do te jetë i vazhdueshëm për të garantuar furnizim me ujë, në sasi dhe cilësi, për të gjithë qytetarët.
IKSHPK apelon te qytetarët që t’i referohen vetëm informatave zyrtare të IKSHPK-së dhe KRU-ve përkatëse”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.