Kosova ka nisur procedurat për hapjen e fabrikës së municionit dhe për laboratorët për dizajnimin e fluturakeve pa pilotë. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
E më shumë detaje dha në një konferencë për media Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Maqedonci tha se për këtë hap janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, në veçanti me SHBA-në, si partneri kryesor strategjik në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë.
Maqedonci po ashtu tha se prodhimet do të jenë sipas standardeve të NATO-s.
Përveç me Republikën e Turqisë, ai tha se do të vazhdojnë të diskutojmë edhe me vendet tjera për mundësinë e prodhimit të komponentëve të ndryshëm të armatimit.
“Ne asnjë hap nuk e ndërmarrim pa u konsultuar me të gjithë partnerët, në veçanti me SHBA-në që janë partneri ynë kryesor strategjik në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë. Fabrika e municionit është projekt i Qeverisë dhe nuk ndërhyn në aspektin e planit të tranzicionit të FSK-së, e cila normalisht do të zhvillohet bazuar në objektivat e planit gjithëpërfshirës të hartuar me SHBA-në.
Hapja e fabrikës së municionit do t’i kontribuojë qëndrueshmërisë logjistike, jo vetëm për FSK-në, por edhe për ministritë e tjera që kanë në posedim armatim dhe për të cilat nevojitet municion. Diskutimet kanë qenë që këto prodhime të jenë sipas standardeve të NATO-s.
Përveç me Republikën e Turqisë ne do të vazhdojmë të diskutojmë edhe me vendet tjera për mundësinë e prodhimit të komponentëve të ndryshëm të armatimit, por edhe armëve të ndryshme në të ardhmen, por në fokus është normalisht fillimisht municioni, që është element bazë për funksionimin e municionit”, tha Maqedonci në një konferencë për media. /Reporteri.net/