Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar një numër të automjeteve të tipit komi-bus, të cilat do të shërbejnë për mbështetje të njësive speciale-policore gjatë operacioneve dhe aksioneve të veçanta.
Sipas njoftimit të Policisë të Kosovës, ky furnizim ka për qëllim përmirësimin e kapaciteteve të transportit, duke siguruar transport efikas dhe të sigurt për efektivat policore në teren.
Gjithashtu, policia ka bërë të ditur se automjetet do të lehtësojnë lëvizjen e njësive speciale, për ta mundësuar një përgjigje të shpejtë.
“Projekti i furnizimit me automjete të reja, është një hap i rëndësishëm në forcimin e infrastrukturës dhe aftësive operacionale të Policisë së Kosovës, duke kontribuar drejtpërdrejt në realizimin e misioneve të saj për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e Kosovës.Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në forcimin e sigurisë dhe rendit publik, me qëllim ofrimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.