3.7 C
Mitrovice
E enjte, 14 Nëntor, 2024
spot_imgspot_img

Trepça nuk lejon befasi, fiton ndaj Yllit në Suharekë

Trepça nuk ka lejuar befasi në xhiron e nëntë të Superligës së Kosovës në basketboll dhe e ka mposhtur Golden Eagle Yllin për herën e dytë këtë edicion. Pas fitores 77:67 ndaj suharekasve në kuadër të xhiros së dytë, “xehetarët” fituan edhe të shtunën në palestrën “13 Qershori”, por shumë më vështirë se në herën e parë. Trepça e fitoi me tre pikë dallim kryendeshjen e kësaj fundjave, 69:66.

Madje sfida u vendos krejt në fund.

Ylli ishte në epërsi 64:62 kur kishin mbetur edhe afro dy minuta deri në fund të ballafaqimit.

Por, dy pikët e Dardan Kapitit për rezultatin 64:64 dhe trepikëshi i Mikaile Tmushiqit për epërsinë 67:64, ishin vendimtar. Trepça me këto pesë pikë kaloi në epërsi të cilën e mbajti deri në fund.

Ylli nuk i shfrytëzoi aksionet që i pati dhe mitrovicasit e arritën fitoren e shtatë të edicionit, krahas dy disfatave.

Ylli mbetet me pesë fitore e katër humbje.

Trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq, sërish ishte i pakënaqur me mënyrën se si funksionoi skuadra në fazën e sulmit.

“Jam i pakënaqur me mënyrën se si kanë luajtur lojtarët në pjesën e dytë. Në pjesën e parë luajtëm mirë në mbrojtje. Patëm probleme sërish me sulmin dhe kjo nuk më pëlqeu. Nuk ishim të saktë në pozita të mira për shënim. Mbrojtja luajti mirë”, ka thënë trajneri Beqiragiq pas ndeshjes.

Nga ana tjetër, trajneri i Golden Eagle Yllit, Endrit Elshani, theksoi se Trepça ka shumë cilësi në skuadër, por tregoi se çfarë e ka penalizuar skuadrën e tij.

“Ishte lojë e mirë. E dimë kualitetin e Trepçës dhe punën që bën trajneri Adis Beqiragiq. Mbrojtja pati paraqitje të mirë pasi e ndali Trepçën në vetëm 69 pikë. Të dyja ekipet bëmë disa gabime, por neve na penalizoi çereku i fundit, pasi patëm pak kërcime në sulm. Kishim edhe mungesa, por djemtë sot treguan lojë të mirë dhe luajtën me zemër”, është shprehur Elshani.

Më i miri në fitoren e Trepçës të shtunën mbrëma ishte Tmushiq me 20 pikë, pesë kërcime e tri asistime.

Lojë të mirë pati edhe Kapiti që ndeshjen e mbylli me 12 pikë e 14 kërcime.

Pikë dyshifrore kishin Larry Thomas dhe Samuel Hunter. Thomas shënoi dhjetë pikë, kurse Hunter pati 14 pikë.

Tek Ylli u dallua Malcolm Armstead me 27 pikë, dy kërcime e pesë asistime./koha.net

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT