9 C
Mitrovice
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
spot_imgspot_img

Kërkohet ndalim i BBVK, shkak futja e ish-burrit të Drenusha Latifit në shtëpi

Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës ka dorëzuar ankesë/kërkesë te KPM lidhur me shqetësimin për përmbajtjen problematike të programit Big Brother VIP, të transmetuar nga Klan Kosova.

“Në emër të mbrojtjes së të drejtave të pjesëmarrësve dhe të promovimit të standardeve etike në përmbajtjen televizive, ne, Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës, po ju drejtohemi për të shprehur shqetësimin tonë të thellë lidhur me një situatë të fundit në programin Big Brother VIP, të transmetuar nga Klan Kosova”, thuhet në reagimin e tyre.

Një nga pjesëmarrëset e këtij programi është e mbijetuar e dhunës në familje dhe ka bërë denoncim publik të rastit të saj. Megjithatë, përkundër këtij denoncimi, ish-bashkëshorti i saj është futur në shtëpinë e Big Brother-it, duke e vendosur atë në një situatë ku duhet të jetojë 24/7 në afërsi të personit që ka ushtruar dhunë ndaj saj.

“Vendimi i Klan Kosovës për të lejuar një përballje të tillë në këtë format mediatik krijon një precedent të rrezikshëm për të drejtat e njeriut dhe promovon dhunën si formë spektakli, e cila është një praktikë e papranueshme, e dëmshme dhe e dënueshme në çdo shoqëri“, thuhet në kërkesën e tyre.

Sipas tyre, Komisioni i Pavarur për Media ka të drejtën të ndalojë menjëherë transmetimin e një emisioni nëse vlerëson se ai përbën rrezik për sigurinë publike, moralin, rendin publik, ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.

“Kjo rrethanë është thellësisht shqetësuese, pasi ekspozon të mbijetuarën ndaj një situate të pasigurt dhe mund të çojë në traumë të mëtejshme, duke përçuar një mesazh të rrezikshëm për publikun dhe normalizuar dhunën në marrëdhëniet intime dhe familjare. Në shoqëritë patriarkale si e jona, ku dhuna shpesh shihet si çështje private, ky zhvillim vetëm sa e përforcon këtë perceptim”.

Duke marrë parasysh rëndësinë e të drejtave të njeriut dhe të drejtës për një ambient të sigurt për çdo pjesëmarrës, ne kërkojmë që Komisioni i Pavarur i Mediave të ndërpresë menjëherë transmetimin e Big Brother VIP Kosova derisa personi i akuzuar për dhunë në familje të largohet nga ky format televiziv.

Respektimi i kodit etik është thelbësor për të garantuar që programet televizive në Kosovë të ofrojnë përmbajtje të përgjegjshme që respekton të drejtat dhe mirëqenien e individëve, në veçanti të mbijetuarve të dhunës.

Në përfundim, theksojmë se të mbijetuarit/at e dhunës meritojnë mbrojtje dhe mbështetje të vazhdueshme. Besojmë që mbrojtja e të drejtave të tyre dhe promovimi i përmbajtjeve të përgjegjshme janë përfitime për të gjithë shoqërinë, përtej logjikës së profitit. Presim nga Komisioni i Pavarur i Mediave që të marrë masa për të shqyrtuar këtë rast me seriozitet dhe të mbikëqyrë respektimin e etikës profesionale në këtë program dhe në çdo përmbajtje tjetër televizive, veçanërisht në rastet që përfshijnë dhunë.

Ky program vazhdimisht promovon shembuj të dhunës, ngacmimeve seksuale dhe diskurse jashtëzakonisht seksiste dhe homofobike, duke ndikuar negativisht në shoqëri dhe duke përforcuar stereotipe të dëmshme. Pas largimit të personit në fjalë, është thelbësore që ky format televiziv të mbikëqyret me kujdes dhe të rishikohet në përputhje me standardet etike për të garantuar që përmbajtja e ofruar është edukative dhe e respektueshme ndaj të gjitha grupeve të shoqërisë.

Shpresojmë që kjo kërkesë të trajtohet me urgjencë nga ana juaj, përfundon kërkesa e tyre.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT