-2.1 C
Mitrovice
E diel, 24 Nëntor, 2024
spot_imgspot_img

Trepça e ndal ecurinë e Bashkimit, fiton thellë

Bashkimi kishte ecuri prej shtatë fitoreve të njëpasnjëshme në nismë të edicionit të ri të Superligës së Kosovës në basketboll. Serinë pozitive të rezultateve, Bashkimi e kishte nisur ndaj Trepçës në xhiron e parë. Por të shtunën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Bashkimi u mposht me rezultat të thellë, 82:52.

“Xehetarët” për asnjë moment nuk lejuan që t’u rrezikohet fitorja në këtë ballafaqim, që prej nisjes së ndeshjes.

Trepça i afrohet Bashkimit lider në vetëm një pikë, me gjashtë fitore e dy humbje. Bashkimi ka shtatë fitore e një disfatë.

Trepça krijoi epërsi që në fillim dhe nuk e lejoi Bashkimin të realizonte pikë për afro tre minuta. Në çerekun e parë e ndali në vetëm shtatë pikë gjithsej, derisa i shënoi 24. Vendësit që e patën edhe paraqitjen e madhe të shikuesve, shkuan në pushim me 23 pikë epërsi, 46:23.

Me rezultatin 19:13 dhe 17:16, Trepça i mbylli edhe dy periudhat e fundit, për të fituar me plot 30 pikë epërsi.

Trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq, pas ndeshjes tha se mbrojtja e fortë ua solli fitoren nga kjo ndeshje. Por, pati kritika sërish për fazën ofensive.

“Mbrojtja e shkëlqyer e skuadrës sonë ka qenë çelësi i kësaj fitoreje”, ka theksuar Beqiragiq pas ndeshjes.

Ndërkohë, Darko Raduloviq, trajneri i skuadrës prizrenase, e përgëzoi Trepçën për paraqitjen. Ai shtoi se lojtarëve që ai i drejton u mungoi motivimi.

“Lojtarët e Trepçës sot ishin shumë të shpejtë, të saktë dhe më të disponuar për lojë. Lojtarët tonë ishin të plogësht. Kjo nuk është fytyra e vërtetë e Bashkimit. Ata dukeshin sikur ishin pa motivim dhe kjo na kushtoi”, theksoi Raduloviq pas ndeshjes.

Statistikat më të mira në këtë ballafaqim te vendësit i pati Larry Thomas që shënoi 15 pikë, shtatë kërcime e katër asistime.

Kontribut dha edhe Malik Johnson me 15 pikë, katër kërcime e nëntë asistime.

Mikaile Tmushiq i pati 12 pikë, kurse Samuel Hunter i shënoi 11 pikë.

Bashkimit nuk i ndihmoi loja e mirë e Jayveous Mckinnis që e mbylli ndeshjen me nëntë pikë, tetë kërcime e një asistim./koha.net

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT