0.9 C
Mitrovice
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
spot_imgspot_img

Derbi në Mitrovicë, kampioni e pret liderin

Bashkimi është ekipi i vetëm që e ka përfunduar fazën e parë të garave në stinorin e rregullt të Superligës së Kosovës në basketboll pa humbje të pësuar. Pas xhiros së shtatë, Bashkimi udhëheq në tabelë me 14 pikë. Pra ekipi prizrenas i ka mposhtur të gjitha shtatë skuadrat e tjera të Superligës.

Ndër të tjera e ka mposhtur edhe Trepçën. Ndeshjen e xhiros së parë, që ishte zhvilluar më vonë se ndeshjet e tjera të asaj xhiroje, Bashkimi e fitoi në Prizren me rezultat 71:64.

Kampionia në fuqi, Trepça, është e dyta në tabelë me 12 pikë. Ka pesë fitore e dy humbje. Pos nga Bashkimi, ka pësuar edhe nga Sigal Prishtina, në kuadër të xhiros së katërt.

Të shtunën prej orës 17:00, Bashkimi do ta ketë sfidën më të madhe deri më tani. Do të përballet me Trepçën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, në kryendeshjen e xhiros së tetë. Mitrovicasit janë të përkushtuar për të njoftuar Bashkimin me humbje. Prizrenasit udhëtojnë me synim të qartë – për të vazhduar me fitore.

“Mezi po e presim ndeshjen e së shtunës. Duam të vazhdojmë këtë seri të fitoreve. Jemi të përgatitur për një ndeshje të fortë, kemi ushtruar mirë ditët e fundit. Shpresojmë t’i përmbahemi planit të lojës dhe të kthehemi në shtëpi me fitore”, ka thënë Jayveous McKinnis, njëri prej lojtarëve të rëndësishëm të Bashkimit.

Të shtunën është edhe një tjetër ndeshje interesante. Nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi” takohen Peja e Vëllaznimi.

Peja ka nisur zbehtë kampionatin. Është vetëm e gjashta me bilanc prej dy fitoreve e pesë humbjeve. Tri fitore e katër humbje i ka Vëllaznimi, që të hënën shënoi fitore të madhe ndaj Sigal Prishtinës në kryeqytet.

Skuadra pejane të enjten njoftoi se është ndarë me dy basketbollistë të huaj. Bëhet fjalë për Shahada Wells e Jawaun Daniels. Po të enjten, Peja njoftoi se ka firmosur me Denys Lukashov. Bëhet fjalë për basketbollistë të pozitës një e dy, që luan për përfaqësuesen e Ukrainës. Ai te Peja sjell përvojën e madhe të fituar në vende të ndryshme evropiane.

Superliga vazhdon të dielën me dy ndeshje. Nga ora 17:00, Sigal Prishtina e pret Proton Cable Prizrenin. Me ndeshjen Golden Eagle Ylli – Bora, përfundon xhiroja e tetë. Kjo ndeshje është të dielën nga ora 19:00 në Suharekë./koha.net

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT