Sporti i hendbollit është mjaft i populluar në Kosovë dhe ka mjaft shumë talentë në vendin tonë.Një nga ta është padyshim edhe 16 vjeçari, Eris Beqiri, i cili ka impresionuar të gjithë me paraqitjet e tij, sidomos në stinorin 2023/24, ku arriti të bënte një hap të madh në karrierën e tij si hendbollist.
Beqiri vitin e kaluar spikati tek Trepça U-16, teksa tani aktivizohet tek KH Trepça U-18, por edhe tek seniorët, e gjithashtu ai merr ftesë edhe nga kombëtarja e Kosovës U-18.Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Beqiri thotë se ndihet krenar me atë se çka ka arritur në sezonin 2023/24.
“Sezoni i kaluar 2023/24 ka qenë një ndër vitet që s’do ta harrojë kurrë – pasi fitova titullin tim të parë me grupmoshën U-16 me Trepçën. Pata performanca të shkëlqyera ku i shënova 21 gola veç gjatë një takimi (kundër Prishtinës U-16). Një ëndërr tjetër që u bë realitet ishte debutimi im në Superligën e Kosovës me ekipin senior të KH Trepçës, por ky nuk ishte fundi – pasi u ftova nga kombëtarja U-18 e Kosovës. Ishte një emocion që s’mund ta përshkruajë me fjalë, pasi dëshira ishte e madhe për të përfaqësuar vendin tim”, tha fillimisht Eris Beqiri.Suksesi i tij më i madh me kombëtaren e Kosoves u18 ishte trofeu në Kampionatin Evropian të Divizionit B.
“Ishte diçka që kurrë s’do ta harrojë, kampionati evropian i divizionit B që u luajt në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, në shtepinë tonë ku prej 12 gushtit deri me 18 gusht, arritëm të bëjmë histori edhe të dalim si fitues nga ky kampionat”, potencoi ai.Beqiri premton se ky është vetëm fillimi për të dhe se ai nuk do ndalet duket punuar dhe duke arritur sukseset në të ardhmen e afërt.
“Nuk besoj se ky është fundi – por e cilësoj se është vetem fillimi i karierës time. Ëndrra ime është ta përfaqsojë Kosovën në nivelet më të larta të hendbollit si me grupmosha të reja – po ashtu dhe me ekipin e parë, të luaj në ekipet me renome të botës e kështu me radhë”, përfundoi Beqiri./GazetaBlic Sport