0.1 C
Mitrovice
E premte, 22 Nëntor, 2024
spot_imgspot_img

Cambridge po konfirmohet si përforcim i madh i Trepçës

Pas një tentimi të pasuksesshëm për të realizuar, topi disi erdhi te Desmond Cambridge. Deri në fund të ndeshjes ishin vetëm edhe 29 sekonda, ndërsa Keravnosi qipriot po udhëhiqte 79:77. Aksioni i Trepçës po përfundonte. Fundori amerikan ishte me shpinë i kthyer kah koshi, ndërsa afër e kishte një basketbollist të skuadrës qipriote. Në sekondën e fundit të aksionit, Cambridge u rrotullua në ajër, gjuajti për tri pikë dhe topi përfundoi në kosh.

80:79 për Trepçën. Kështu u vendos ndeshja e së mërkurës në Turqi, që ishte çerekfinale e fazës kualifikuese të Ligës së Kampionëve në basketboll.

Pas shënimit të Cambridget, lojtarët e Keravnosit humbën sërish topin. Malik Johnson realizoi dy gjuajtje të lira për Trepçën për rezultatin 82:79. Fare në fund, qipriotët nuk e qëlluan asnjërën prej tri gjuajtjeve të lira. Dhe Trepçës i takoi fitorja me shifrat 82:79.

Për herë të parë një skuadër kosovare kaloi kundërshtar në kualifikimet e Championsit. Këtë Prishtina nuk e kishte arritur në tri raste, ndërsa nuk ia dolën as Golden Eagle Ylli dhe Peja.

Trepça në debutim në Champions kaloi kampionin e Qipros, Keravnosin.

Cambridge e mbylli ndeshjen me 22 pikë e pesë topa të rrëmbyer. Tri prej atyre pikëve ishin vendimtare.

Ai po del të jetë përforcim më shumë se i qëlluar për skuadrën mitrovicase.

“Të jem i sinqertë, kam pritur sukses në muajt e parë pas arritjes te Trepça. Jo vetëm në aspektin individual, por edhe suksesin si ekip. Pasi përfundova vitin e parë si profesionist në Azerbajxhan, kam pasur ide më të mirë se çka të pres kur të luaj në Evropë dhe në gara të FIBA-s. Kam synime të mëdha për karrierën time në basketboll dhe shumë krenari si basketbollist. Besoj se për të realizuar ëndrrat më duhet të jem pjesë e një organizate fituese dhe e një kulture fituese. Duke pasur këtë në mendje, kam ardhur në Kosovë i uritur dhe i përgatitur për të kontribuar në kulturën fituese menjëherë”, ka thënë Cambridge për KOHËN, të premten.

25-vjeçari në edicionin e kaluar luajti me shumë sukses në skuadrën Sabah nga Azerbajxhani. Ishte skuadra e tij e parë në Evropë. Në verën e vitit 2023 ishte pjesë e Toronto Raptors në ligën verore të NBA-së. Por luajti vetëm një ndeshje. Në ligat universitare të SHBA-së ishte te Nevada e Arizona.

Pas shkëlqimit me Sabahun, këtë verë iu bashkua Trepçës. Shkëlqeu në Superkupë dhe u shpall lojtari më i vlefshëm i finales. Trepça e fitoi Superkupën për të vazhduar dominimin në basketbollin kosovar, ndërsa tani po shkruan histori në Champions.

Ajo treshe e Cambridges do të kujtohet gjatë nga tifozët e zjarrtë të Trepçës.

“Zoti e drejtoi dorën time në atë moment. Koha po mbaronte dhe e dija se duhej të bëja një tentim për të shënuar. Në të kaluarën kam bërë shumë gjuajtje të tilla në momentin vendimtar. Disa kanë shkuar në cak e disa jo. Nuk mendoj se ishte diçka e veçantë. Thjesht kam gjuajtur kur është dashur të gjuaj. Edhe pas koshit është dashur të luajmë mbrojtje si ekip për të siguruar fitoren. Natyrisht më vjen mirë që gjuajtja na siguroi epërsinë dhe ndikoi që ekipi kundërshtar të jetë në presion”, ka shtuar Cambridge.

Ai në edicionin e kaluar udhëhoqi Sabahun drejt kampanjës së suksesshme në FIBA Europe Cup. Ndër të tjera ishte paraqitur edhe ndaj Nymburkut, kampionit të Çekisë, me të cilin Trepça të premten nga ora 13:00 luan në gjysmëfinale të turneut kualifikues.

“Kam luajtur ndaj këtij klubi vitin e kaluar në FIBA Europe Cup me Sabahun. Kemi humbur në një ndeshje të barabartë, që është vendosur për pak pikë. Me këtë në mendje, mendoj se jemi më shumë se në gjendje që të fitojmë të premten. Gjithsesi, nuk do të jetë ndeshje e lehtë. Do të duhet të luajmë me shumë energji dhe fokus të jashtëzakonshëm që t’iu përmbahemi planit të lojës. Kur luan në një nivel si ky, secili mund të fitojë në një ditë të mirë. Sipas mendimit tim, fituesi vendoset në bazë të asaj se kush luan me më shumë zemër dhe kush e ekzekuton më mirë planin e lojës”, thotë Cambridge, që është njëri prej shumë amerikanëve te Trepça.

Nymburku vlerësohet favorit ndaj Trepçës. Është paraqitur rregullisht në stinorin e rregullt të Championsit, ndërsa dy herë ka arritur në çerekfinale. Garën këtë edicion e nis prej gjysmëfinales.

Shumë do të varet nga paraqitja e Cambridge.

“Synimi im më i madh është të fitoj. Klubi ynë është i njohur për fitore dhe përkrahet nga një tifozëri e jashtëzakonshme në Mitrovicë. Jam i kënaqur me trajnerin Adis Beqiragiq dhe ekspertizën e tij si trajner. Mendoj se vërtet mund të rritem si lojtar dhe ta përmirësoj lojën time këtu. Për aq kohë sa e bëj më të mirën dhe e respektoj lojën, mendoj se gjërat do të funksionojnë si duhet”, ka shtuar Cambridge.

Credits: Arsim Maxhera / Koha.net

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT