Ministria e Ekonomisë e ka shpallur të hapur thirrjen publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë për investim në pajisje efiçiente për ngrohje.
Lansimi i thirrjes është bërë nga ministrja Artane Rizvanolli dhe kryeministri Albin Kurti të enjten para objektit të Ministrisë së Ekonomisë.
Aty, Rizvanolli dhe Kurti biseduan me qytetarë në mënyrë që ata të njoftoheshin për së afërmi me kushtet dhe kriteret e subvencionit.
Thirrja parasheh subvencionimin e konsumatorëve familjarë për këto pajisje efiçiente për ngrohje: Pompë termike; kondicioner; kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufa individuale me biomasë.
Kriteret për aplikim për pompë termike janë këto: shtëpia ose banesa e juaj duhet të jetë ngrohur me energji elektrike dhe me konsum mujor të energjisë elektrike që ka qenë mbi 800 kilovat për orë për së paku njërin nga muajt nëntor 2023 – mars 2024.
Po ashtu, shtëpia nuk duhet të ketë qasje në ngrohje të qytetit, si dhe duhet të jetë e e termo-izoluar dhe të ketë të instaluar sistem qëndror të ngrohjes.
Për pompë termike, konsumatorët që do të përfitojnë, do të subvencionohen në vlerë 30 për qind të investimit deri në dy mijë euro.
Disa kritere të ngjashme janë të vendosura edhe për aplikim për subvencionim të kondicionerit.
Për përfitim të subvencionimit për kondicioner duhet të plotësoni këto kushte: të keni shtëpinë që ngrohet me energji elektrike, dhe së paku nga një muaj nga nëntori 2023 deri në mars 2024 të keni konsumuar energji elektrike mbi 800 kilovat për orë, të mos keni qasje në ngrohje të qytetit, shtëpia juaj të jetë e termoizoluar.
Aplikimi për këtë thirrje bëhet në platformën e-kosova.
Aplikimi bëhet në këtë LINK



