Basri Beka nga organizata “Shqiptaria”, ka thënë se konvertimet e fundit në katolikë janë reaksion i natyrshëm për të ruajtur vlerat kombëtare.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Beka ka akuzuar imamët se kanë tendencë për ta tjetërsuar popullin dhe për ta orientuar në një kulturë tjetër.
“Ne si organizatë jemi neutralë plotësisht ndaj besimeve fetare, nuk na intereson çfarë besimi ke, duam si shqiptarë të mos fyhemi. Si popull të ruajmë identitetin, kulturën dhe trashëgiminë tonë. Ne shohim çdo ditë prej imamëve të ndryshëm që fyhen figurat kombëtare. Çdo ditë shohim që është një tendencë për ta tjetërsuar këtë popull, për ta orientuar në një kulturë që në të vërtetë nuk e ka. Andaj kjo çka po ndodh sot me pagëzime, ne e shohim një reaksion të natyrshëm sepse ky popull ka arritur të mbijetojë me shekuj… për ne është e ligjshme, në Kosovë nuk është e dënueshme me ligj blasfemia. Tendenca e islamit politik për të demonizuar, për të etiketuar. Nuk është mirë të etiketosh. Kosova është shtet laik”, ka thënë ai./koha.net



