Avokati Dastid Pallaska, në emisionin “Tempus” në KTV tha se kryeministri Albin Kurti asnjëherë nuk e ka fshehur se është antiamerikan.
“Albin Kurti fundamentalisht dhe ideologjikisht është antiamerikan edhe e ka thënë edhe ai vetë, po e them edhe unë, vetëm po e parafrazoj. Ai ka qenë kundër pothuajse secilës politikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan në përgjithësi dhe në raport me Kosovën në veçanti”, tha Pallaska.
Ai tha se Kurti ishte edhe kundër Konferencës së Rambujesë dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara për administrimin e Kosovës, kundër procesit të negocimit në Vjenë – i cili ka rezultuar me pakon e Marti Ahtisaarit dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ka qenë kundër edhe me Kushtetutën e Kosovës, madje as shtetin e Kosovës nuk e ka pranuar, i cili është krijuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka asnjë politikë madhore amerikane në raport me Kosovës, në fakt ka qenë elementë të partisë së tij që kanë shkruar artikuj pseudo-shkencorë ku i kanë kundërshtuar edhe bombardimet e NATO-s kundër Serbisë për kinse shkelje të së drejtës ndërkombëtare publike. Domethënë, ky njeri asnjëherë nuk e ka fshehur se është antiamerikan”, tha Pallaska.
Avokati shtoi se Kurti ka mundur të thotë që është proamerikan dhe një votues i papërgjegjshëm e ka dëgjuar çfarë ka thënë dhe jo si ka vepruar.
“Edhe pse s’kam qenë kurrë i përfaqësuar politikisht në jetën time, një gjë e kam pas të qartë, paraqet kërcënim, për shtetin e Kosovës ideologjia e tij”, tha Pallaska.
Pallaska tha se Kurti me gjithë makinerinë propagandistike të tij, dalëngadalë është duke u munduar që edhe popullin e Kosovës ta bëjë antiamerikan, të kundërtën që e kishte bërë Ibrahim Rugova.
Avokati Dastid Pallaska, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i padijshëm dhe i papërgjegjshëm.
“Këto veprime janë të papërgjegjshme, secili veprim i cili është i udhëhequr prej arsyes apo politikanëve të përgjegjshëm, ai e ka fillimin dhe mbarimin. Domethënë, secili politikan i përgjegjshëm thotë nëse unë e marr një veprim të caktuar, kundërveprimi i palëve të përfshira do të jetë ky, kjo do të jetë përgjigja e atyre kundërveprimeve dhe kështu shkohet deri në skenarin më të keq të mundshëm, i cili në këtë rast është shumë i rrezikshëm- eskalimi i një konflikti të armatosur në atë pjesë”, tha Pallaska në “Tempus” të KTV-së.
Sipas tij, në rast se një politikan merr veprime sikurse ato në veri dhe pret që nuk ka kundër-reagim, atëherë është i padijshëm.
“Nëse je një politikan i Kosovës i cili e ke nisë një veprim popullist, hapjen e urës a veprimet tjera mbylljen e objekteve edhe nëse ke prit ti që nuk ka kundër-reagim duke i marrë parasysh gjitha rrethanat, atëherë ti je i padijshëm. E nëse ti e ke ditë që ka kundërveprim, por e ke ditë që vetë je i papërgatitur për kundërpërgjigje ndaj asaj përgjigje, atëherë ti je një politikan i papërgjegjshëm”, tha Pallaska.
Ai thotë se bashkësia ndërkombëtare e di se çfarë veprime stimulojnë ato veprime dhe në çfarë mund të eskalojnë.
“Arsyeja pse bashkësia ndërkombëtare nuk po e përkrah Qeverinë e Kosovës në të gjitha këto veprime është se këto veprime janë të papërgjegjshme” , tha Pallaska.
Avokati tha se është banale promovimi i larjes në Liqenin e Ujmanit. Sipas tij, kjo madje është në kundërshtim me ligjin sepse ai ujë përdoret për si ujë i pijshëm.
“Është e ndaluar me ligj me u la nëpër liqene artificiale të cilat shërbejnë si burim i furnizimit me ujë të pijshëm apo edhe për qëllime të tjera për amvisëri”, tha Pallaska./koha.net




