Kombëtarja e Shqipërisë është eliminuar nga faza e grupeve të “Euro 2024”, pas humbjes së pësuar nga Spanja.
“Kuq e Zinjtë” zhvilluan një paraqitje solide, megjithatë pësuan humbje 1:0, duke mos arritur t’i bëjnë ballë spanjollëve.
Spanja ishte më e mirë dhe më dominuese, ashtu siç pritej duke krijuar raste të njëpasnjëshme.
Ishte Ferran Torres që e theu mbrojtjen shqiptare, me një goditje të saktë pas një asistimi të Dani Olmos (13’).
Shqipëria u ngjallë vonë, duke rrezikuar me Kristjan Asllanin në fundin e pjesës së parë, por Raya bëri një pritje të bukur që t’ia mohojë golin.
Loja për mirë për Shqipërinë ndryshoi me inkuadrimin e Armando Brojës, që rrezikoi menjëherë mirëpo Raya sërish ishte në vendin e duhur.
Një ndikim të madh e kishte edhe Arbër Hoxha, që si në ndeshjet e kaluara sapo u inkuadrua ishte i pandalshëm në driblime, mirëpo prapë “Kuq e Zinjve” iu mungoi konkretizimi.
Kësisoj, Shqipëria e mbyll “grupin e vdekjes” si pozitë e fundit në grupin B me një pikë të fituar. Për skuadrën e Sylvinhos ky Evropian merr fund, mirëpo kanë mahnitur të gjithë me paraqitjet e zhvilluara.
Shqipëria do të rikthehet në “aksion” në muajin shtator, në kuadër të grupit B të Ligës së Kombeve.