Skuadra e Trepçës është vetëm një fitore larg titullit të parë që prej vitit 2012.
Trepça shfaqi më shumë edhe në ndeshjen e tretë në serinë finale të plejofit ndaj Yllit, dhe arriti që ta marrë epërsinë e serisë finale në 2:1.
“Xehetarët” të enjten mbrëma në “Minatorin” e stërmbushur me shikues fituan me rezultatin 85:78.
Tani do ta kërkojnë edhe një tjetër fitore në Suharekë për ta festuar titullin e shumëpritur. Skuadra që shënon tri fitore shpallet kampione e edicionit aktual në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ylli tregoi paraqitje të mirë në fillimin e ndeshjes.
Çerekun e parë, suharekasit e fituan me rezultatin 21:11.
Por, periudha e dytë i takoi në tërësi Trepçës, që në pushimin e gjatë shkoi me gjashtë pikë dallim, 37:31.
Suharekasit e drejtuar nga trajneri Petar Mijoviq, megjithatë, u kthyen në lojë duke e përmbysur rezultatin në 39:37 në të mirë të vet, tetë minuta pa u mbyllur çereku i tretë.
Megjithatë, nuk e pati forcën që ta mbajë epërsinë. Në çerekun e katërt, Ylli hyri me një pikë disavantazh, 55:54.
Trepça e drejtuar nga Adis Beqiragiq e shfrytëzoi cilësinë dhe përvojën në skuadër për të triumfuar në fund me shtatë pikë dallim.
Ndeshja e radhës në palestrën “13 Qershori” në Suharekë luhet të dielën./koha.net



