Trepça ka shënuar fitoren e 19-të rresht në Superligën e basketbollit kosovar.
Trepça, që javë më parë e fitoi Kupën e Kosovës, mposhti Proton Cable Prizrenin me rezultatin 97:73.
Ky ballafaqim u zhvillua në palestrën “Minatori” dhe ishte i fundit i xhiros së 26-të.
Vendësit nuk lejuan befasi dhe dominuan që nga fillimi i ndeshjes duke i fituar të gjithë çerekët.
Në pushim, “xehetarët” shkuan me 14-të pikë dallim, kurse ndeshjen e mbyllën me 24 pikë dallim.
Darnell Edge pati statistikat më të mira në fitore me 24 pikë, gjashtë kërcime e shtatë asistime.
Te mysafirët lojë të mirë pati Ty Cockfield që shënoi 32 pikë, tre kërcime e katër asistime, por të pamjaftueshme për ta shmangur humbjen e katërt rresht.
Deri në fund të sezonit të rregullt kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u luajtur.
Trepça është e para me 50 pikë, kurse Prizreni në vendin e shtatë, përkatësisht të parafundit, ka 33 pikë./koha.net